Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi ka kritikuar vonesat në marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet përkatëse kanë pasur informacione të mjaftueshme për të vepruar më herët.
Thaçi ka deklaruar se raporti që pritet t’i dorëzohet kryeministrit do të jetë kryesisht informues për dështimet e mundshme institucionale.
Sipas tij, suspendimet e policëve, kryeprokurorit dhe prokurorit të Pejës janë vonuar, pasi institucionet relevante kanë qenë në dijeni të rastit dhe kanë pasur materiale të mjaftueshme për të ndërmarrë masa.
“Ne po e presim raportin, një raport që unë faktikisht mendoj që më tepër do të jetë informues, për shkak se kryeministri do të mund të merr raport informues mbi dështimin e hallkave eventuale, por që suspendimi i sotëm i një numër të policëve dhe kryeprokurorit dhe prokurorit të Pejës ka vonesa për arsye se të gjitha institucionet relevante dhe përgjegjëse për rastin kanë qenë në dijeni, kanë pasur të gjithë informacionet se ku vërtetë ka dështuar. Është një vrasje makabër, një vrasje me numër 8 të vitit 2026, është një vrasje që faktikisht ka argumente dhe dokumente që nuk ka pasur nevojë për hetime të zgjeruara për shkak se në këtë fazë për me marrë masa ka pasur mjaftueshëm material për suspendim, e kemi pasur letrën e viktimës me protokoll, kjo letër dëshmon shumë”, ka thënë Thaçi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka përmendur edhe letrat që, sipas tij, i ishin drejtuar Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, si dhe audio incizimet që kanë qenë në dispozicion të institucioneve.
Thaçi ka vlerësuar se këto materiale duhej të shërbenin për veprim më të shpejtë dhe se përgjegjësia për rastin nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin moral.
“Kemi edhe letrën tjetër që iu ka drejtuar Këshillit Prokurorial, kemi letrën tjetër që iu ka drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe auto incizimet të cilat kanë qenë të gjitha aty brenda dhe nuk ka pasur nevojë të presim aq gjatë. Nuk kemi më vend këtu për dorëheqje morale, këtu ka përgjegjësi institucionale, kjo vrasje ka qenë e paralajmëruar dhe këtë e kemi vrarë me duar tona, dilema nuk ka. Përgjegjësia përveç morale është edhe ligjore dhe shteti duhet ta ndërtojë një standard që nesër cka do që ndodhë të kemi përgjegjësi politike dhe morale”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Thaçi ka kritikuar edhe qasjen e policisë ndaj qytetarëve që kërkojnë ndihmë, duke theksuar se institucionet e sigurisë kanë detyrim t’u shërbejnë qytetarëve dhe nuk duhet t’i minimizojnë shqetësimet e tyre.
“Policia nuk guxon asnjëherë të thotë që është lodhur, mund të lodhemi fizikisht, mirëpo jemi të obliguar t’u shërbejmë qytetarëve, as nuk guxon të thotë ‘e ke tepruar’, si në rastin e Arlinda Zekajt”, ka theksuar ai./teve1.info/






