Telekomi i Kosovës ka reaguar lidhur me publikimin në media për reklamimin nga kjo kompani në media.
Sipas Telekomit të Kosovës të dhënat e publikuara janë të pasakta dhe tendencioze.
Në një reagim thuhet se kjo kompani ka zvogëluar shpenzimet në minimum për marketing.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me video-komentin e publikuar nga portali Shenjestra.net me titullin “Taxhia e Kurtit për mediat” (https://ëëë.facebook.com/reel/2037109380360064), Telekomi i Kosovës ndjen nevojën të sqarojë publikun dhe institucionet mediale për disa pasaktësi serioze dhe interpretime tendencioze që dëmtojnë reputacionin e ndërmarrjes sonë publike.
Para së gjithash, duam të theksojmë se interpretimi i të dhënave të marra nga portali në fjalë ka qenë joprofesional, senzacional dhe i njëanshëm, i pabazuar në të dhëna faktike. Ai nuk pasqyron aspak mënyrën transparente dhe profesionale me të cilën Telekomi i Kosovës ka vepruar në kontraktimin e hapësirave reklamuese.
Krahasimet e bëra me praktikat e mëhershme, kur reklamat në shuma marramendëse shpërndaheshin pa kritere të qarta, në portale të sapohapura apo të lidhura me interesa partiake ose grupe interesi, janë të pabazuara dhe të papranueshme.
Argumentet faktike:
• Shpenzimet për marketing nga Telekomi i Kosovës janë zvogëluar në minimum dhe orientohen sipas strategjisë së miratuar.
• Telekomi i Kosovës është kompani publike që operon në kushte konkurruese dhe reklamimi i produkteve dhe shërbimeve është i domosdoshëm.
• Në periudhën pesëvjeçare 2015–2019, Telekomi kishte shpenzuar për marketing shumën prej mbi 13 milionë €. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanalizohej në media të panjohura për publikun, shpesh pa ndonjë efektivitet të matshëm.
• Në periudhën tjetër pesëvjeçare 2020–2024, Telekomi ka shpenzuar në total për marketing shumën prej rreth 700,000.00 €.
• Në kuadër të strategjisë së rishikuar të marketingut, reklamimet kryesisht janë orientuar në mediat/rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.), si dhe në të gjitha televizionet me mbulueshmëri nacionale.
• Në kuadër të televizioneve nacionale janë nënshkruar kontrata marketingu me 6 prej 9 televizioneve që kanë mbulueshmëri nacionale, vlera totale vjetore e të cilave sillet rreth 200,000.00 €. Ndarja e kësaj shume në mes të këtyre mediave është bërë duke marrë për bazë matjen e shikueshmërisë në platformën e Telekomit të Kosovës dhe çmimet e ofruara nga këto televizione.
• Telekomi operon me platformën televizive me nënbrendin TV Vala dhe kontrakton hapësira reklamuese vetëm në televizionet që transmetohen në platformën OTT dhe IPTV të
TV Vala. Kriteri për mosnënshkrimin e kontratave me 3 televizionet tjera është se këto televizione, pa arsye, nuk kanë pranuar që përmbajtja e tyre të transmetohet në platformën e Telekomit. Kjo zgjedhje bazohet në mundësinë për matje profesionale të shikueshmërisë dhe monitorim të saktë të transmetimit të reklamave.
Rreth rolit të mediave që kanë shpërndarë këtë raportim:
Vërejmë me shqetësim se mediat që e kanë shpërndarë këtë raportim, pa verifikim të fakteve, janë njëkohësisht viktima dhe përhapëse të një narrativi tendencioz gazetaresk, që krahason të pakrahasueshmet. Në këtë rast, shpenzimet normale të marketingut të një ndërmarrjeje publike, të bazuara në kritere të matshme dhe transparente, etiketohen si “taxhi”, duke injoruar dallimin thelbësor me praktikat e mëhershme. Telekomi i Kosovës nuk ka bërë asnjë selektim që do të mund të etiketohej si subjektiv, por ka respektuar me përpikmëri kriteret e theksuara më lart.
• Për këto arsye, konsiderojmë se raportimi i portalit Shenjestra.net nuk është i bazuar në fakte, por në keqinterpretime, paragjykime dhe shpërfaq një qasje tendencioze që synon të dëmtojë imazhin e Telekomit të Kosovës.
• Telekomi i Kosovës, si ndërmarrje publike, mban përgjegjësi të plotë para publikut për menaxhimin e parasë publike. Në këtë kuadër, nuk blihen hapësira reklamuese në televizione që transmetohen vetëm në platformat konkurruese dhe jo në TV Vala.
Telekomi i Kosovës shpreh keqardhje për përpjekjet e disa mediave për të ndërtuar një narrativë të pavërtetë rreth shpenzimeve për marketing, duke pretenduar për “favorizim të mediave të afërta me qeverinë”. Ky pretendim nuk qëndron dhe është i pabazuar në fakte.
Telekomi i Kosovës fton çdo institucion publik, organizatë të shoqërisë civile apo media të interesuar të shqyrtojnë të dhënat dhe kontratat në mënyrë që të garantohet transparenca maksimale.
Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha mediat dhe partnerët profesionalë që ndajnë vlerat e informimit të drejtë dhe objektiv të publikut.