Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve në këtë procedurë shënojnë edhe përfundimin e procedurës. Natyrisht, në fjalën përfundimtare, si prokuroria si mbrojtja do t’i përmbledh faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të startojë prokuroria, pastaj mbrojtja. Ekziston një aktvendim i gjykatës ku në mënyrë të qartë përcaktohen edhe detajet. Në atë aktvendim thuhet se prokuroria do t’i ketë tetë orë, ndërsa secili ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë. Edhe të pandehurit do t’i kenë nga 20 minuta për t’i drejtuar gjykatës. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje. Trupi gjykues sipas vendimmarrjes i ka tre muaj që të marrë vendim, mirëpo nëse trupi gjykues e vlerëson se i duhet më shumë kohë, trupi gjykues mund të kërkojë nga kryetarja e gjykatës që afati për marrjen e vendimit të vazhdohet”, ka thënë ai.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Avokati Artan Çerkini thotë se prokuroria edhe një herë “do të mundohet të bindë gjykatën që akuzat e tyre janë të bazuara në fakte e prova”.
“Prokuroria do të mundohet që ta bindë gjykatën që akuzat e tyre janë të bazuar në fakte dhe prova. Natyrisht mbrojtja do ta dëshmojë të kundërtën, pra prokuroria do t’i referohet provave të cilat ajo i ka administruar. Një gjë të tillë do ta bëjë edhe mbrojtja sepse kështu e ka procedura kontradiktore në bazë të parimit le të dëgjohet edhe pala tjetër. Po ashtu, mos të harrojë që ta them edhe që trupi gjykues ka të drejtë që të kërkojë sqarime nga palët, nëse në fjalët përfundimtare palët kanë lënë diçka të paqartë apo se trupi gjykues e ka të paqartë ndonjë qëndrim juridik, qoftë të prokurorisë qoftë të mbrojtjes. Trupi gjykues ka të drejtë që të kërkojë sqarime”, shton ai.
Por, a pritet që shpejt të merret vendimi për katërshen e UÇK-së, këtë nuk e pret avokat Artan Çerkini.
“Nuk besoj se trupi gjykues do të ketë mundësi që para qershorit ta bëjë shpalljen e aktgjykimit sepse procesi ka qenë mjaft voluminoz, kur them voluminoz e kam për numrin e madh të dëshmitarëve por edhe numrin e madh të provave materiale të cilat janë shqyrtuar në proces gjyqësor”, përfundon ai.
Pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë organizuar vitin e kaluar nga kategoritë e dala nga lufta. Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.
Protestë tjetër do të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare./kp








