Është bërë një vit qëkur Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk mund të marrë vendime rreth pretendimeve për kurdisje çmimesh nëpër tregje, kjo për shkak se nga 9 qershori, AKK-së i ka kaluar mandati.
Kryetari i fundit që e pati institucioni, Valon Prestreshi thotë se fakti që ka ndryshime çmimesh vazhdimisht, e bën të domosdoshëm funksionalizimin e AAK-së.
“Ka pas ndryshime të mëdha në çmimin e naftës, ka pas ndryshime të mëdha në beton, armaturë e hekur, ka pas ndryshime të mëdha në energji. E këta në energji qeveria dhe ZRRE-ja kanë marrë edhe një vendim të njëanshëm, po të ishte Autoriteti i Konkurrencës do ta jepte një mendim profesional dhe do ta udhëzonte Qeverinë e ZRRE-në si të vepronte në këtë aspekt”, tha ai.
Ndonëse pa komision aktiv, në AKK vazhdon ta ushtrojë detyrën drejtori i përgjithshëm. Por Prestreshi thotë se kompetencat e tij janë vetëm pranimi, arkivimi i lëndëve dhe nxjerrja e raporteve.
E funksionalizimin e Autoritetit të Konkurrencës po e sheh të domosdoshëm edhe ish-drejtorit i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
“Definitivisht një funksionalitet më i mirë i një Agjencioni të tillë kish me pas efekte më pozitive në interes të qytetarit. Kish me qenë vërtet një agjencion në interes të qytetarit duke minuar këto monopole, duke ngritur në komision akuza dhe argumente bazuar në fakte konkrete. Dhe e tëra kjo ndoshta kish me motivu prokurorinë për me qenë më aktive për t’i ndaluar këto dukuri”, tha Gërxhaliu.
Televizioni gjatë ditës i ka dërguar pyetje Qeverisë se kur do t’i dërgojë emrat e rinj për anëtarët e bordit të AKK-së, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Raporti i gazetarit, Gojart Jashari.