Ndonëse, takimi ishte paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tash nga pala serbe ka reagime se duan ta bojkotojnë këtë proces, me pretekstin se pala kosovare ka vendosur masa të reciprocitetit për tabelat e automjeteve dhe dokumentet e identifikimit.
Ditë më parë Vuçiq, me nervozë, paralajmëroi se dialog më nuk ka. Kurse së fundmi, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq deklaroi për mediet në Beograd se situata tash është shumë komplekse.
Këto qëndrime të liderëve në Serbi, i ka komentuar kryeministri Kurti, i cili tha se Lajçak ka qenë i informuar për vendimet e qeverisë së Kosovës.
“Edhe Lajçak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por problemi mbase qëndron tek paralajmërimet nga Beogradi se ata mund te dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Tëvë1 i ka adresuar një pyetje Zyrës për Media të BE-së, por nuk ka marrë endë një përgjigje nëse ky takim pritet të realizohet.
Raporti i gazetarit Valmir Gallopeni.