Diskutimet për çështjen e dinarit serb, herën e parë i refuzoi.
Mirëpo kjo e premte është e pesta herë që po ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë pikërisht për këtë temë.
E pavarësisht që janë mbajtur gjashtë takime nga muaji shkurt, ende nuk ka një rezultat.
Mirëpo me këtë qasje nuk po habiten deputetët e partive opozitare.
“Qeverinë çka deklaron nuk e marrë serioz sepse edhe më herët ka deklaru se nuk do të bisedojnë me Serbinë pa u gjet i pagjeturi i fundit. Sa i përket dinarit unë mendoj se është krijuar jo me një qëllim të mirë, ndoshta kryeministri bashkë me atë zëvendëskryeministrin që është duke biseduar tani për dinarin e kanë kriju si kauzë për të bërë populizëm në Kosovë sepse fatkeqësisht kjo po i shkon në dëm të Kosovës”, ka thënë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, se kanë paralajmëruar që kjo çështje do të përfundojë në Bruksel
“Ne kemi thanë se ashtu si do të sillet për targat, ashtu edhe kjo temë do të bartet në Bruksel dhe tashmë ju po e shihni që është proces i negociatave, kur të negociojsh ti duhet të japësh diçka, për të marrë diçka dhe kjo është fatkeqësia që po na ndodhë me këtë qeveri”, ka thënë Zemaj.
“Po e shohim se tash po shkojnë, janë deklaruar se nuk do të shkojnë fare në Bruksel për çështjen e dinarit ndërsa po dialogojnë edhe për dinarin, kanë thënë se nuk do të dialogojnë për asnjë çështje, ndërsa po shkojnë po dialogojnë dhe e kanë kaluar nivelin e dialogut në minimum tash për çështje të dinarit”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj
E gjithë këto takime po i arsyeton partia në pushtet. Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli thotë se diskutimet atje po bëhen për të gjetur një formë që financimi i serbëve nga Serbia të behët rrugëve ligjore të Kosovës.
“Kjo është rruga që ne do të ndjekim deri në fund dhe presim që Serbia të reflektoj dhe nëse Serbia e ka seriozisht që ti financoj qytetarët serb këtu në Kosovë përmes të hollave, ti dërgoj në mënyrë legale sepse ka keqpërdorim të parave që Serbia bën sepse jo të gjitha ato para që kanë ardhë iu kanë shku qytetarëve, ato kanë financu grupe të ndryshme terroriste”, ka thënë Pacolli.
Takimi i 25 prillit është i pesti mes krye-negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, dhe i gjashti mes delegacioneve të të dyja shteteve, pasi herën e parë për diskutimet rreth dinarit janë bërë në mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.