Tahiri në një konferencë për media ka thënë se do të kërkojnë nga qeveria që për një kategori që ka më pak të hyra në Trust të bëjnë kompensimin e tyre në rast të tërheqjes.
“AAK-ja kërkon nga shumica parlamentare që të reflektojë seriozisht dhe të mbështesin iniciativën e tërheqjes së trustit pasi ato janë para të qytetarëve të Kosovës, janë kontribut i tyre dhe rrethanat në të cilat është sot Kosova kjo është një gjë elementare që qeveria mund ta bëjë. Dhe po ashtu [qeveria] ta trajtojë mundësinë që për një kategori që kanë më pak të hyra në Trust ta bëjnë kompensimin e tyre. Pra, Trusti nuk është dëshirë, nuk është vullnet i mirë por është domosdoshmëri për të gjithë ata që janë duke paguar dhe kanë nevojë elementare”, është shprehur ai.
Po ashtu, Tahiri ka folur edhe për projektligjin për pagën minimale që i cili nuk u votua në seancën e së premtes për shkak të mungesës së kuorumit.
Ai tha se votuan kundër pasi partia e tij dëshiron që në mes të dy leximeve të ngritet paga minimale dhe disa kategori të vendosen në barazi të pagës minimale.
“Ne dje kemi votuar kundër pasi ne duam që në mes të dy leximeve të ngritët paga minimale dhe disa kategori të vendosen në barazi të pagës minimale. Në ligjin e Punës, paga minimale ka një kriter të kalkulimit. Bazohet mbi 4 kriteret dhe kriteri i parë është kostoja e shpenzimeve jetësore. Vetëm me këtë kriter nuk përkon paga 250 euro. Dhe e dyta, përcaktimi i pagës minimale për sektorin privat është 250 ndërkaq përcaktimi që paguan shteti për ta në rastin e veteranëve dhe të tjerëve vendosin që t’i largojnë nga kjo skenë. Ky është diskriminim, është gabim”, ka thënë Tahiri. /teve1.info/







