Njohësja e zhvillimeve politike në Kosovë, Arta Tahiri-Beqa, tha se pamjet e dhunës në Kuvendin e Kosovës janë të dënueshme, raporton teve1.info
Gjatë një bisede në transmetim special në Tëvë1, Tahiri-Beqa tha se këto reagime kanë pash pas grumbullimit të pakënaqësive në arenën publike siç është veriu i vendit dhe së fundmi audio-incizimi i publikuar në mes të deputetes Mimoza Kusari Lila dhe ish deputetit serb në Kuvendin e Kosovës, Sllavko Simiç.
“Nuk është gjuha më e mirë e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend, por një gjuhë të tillë jemi mësuar ta shohim nga pozita e tanishme kur ka qenë në opozitë, atëherë kur ata kanë menduar që nuk eshtë diçka në favor dhe kanë hedhur mjete të forta në drejtim të qeverisë, gaz lot-sjellës si dhe mjete të ndryshme”, tha Tahiri-Beqa.
Ajo tha se një situatë e deeskalimit ka qenë e pritshme në Kuvend por jo në këtë masë.
“Kjo situatë ka qenë e pritshme, një eskalim pas incizimeve dhe emërtimeve të veçanta që janë cekur nga ato audio-incizime, ka qenë e pritshme një situatë e eskalimit por jo deri në këtë masë dhe fjalor absolutisht jokorrekt dhe zhgënjyes për përfaqësuesit e popullit të cilët u përshinë në këtë përleshje”, tha ajo.
Të gjitha zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës do të transmetohen në Tëvë1 dhe portalin teve1.info, të cilat do t’i komentojnë edhe njohësit e politikës në vend.







