Përzgjedhësi brazilian i Shqipërisë, Sylvinho, ka kërkuar nga lojtarët që ndeshjes ndaj Republikës së Çekisë t’i qasen me mentalitetin e duhur.
Shqipëria dhe Republika e Çekisë luajnë më 12 tetor në “Air Albania” nga ora 20:45.
Vlerësohet ndeshje vendimtare për kualifikim në Evropianin e vitit 2024 që organizohet në Gjermani.
Shqipëria është e para në Grupin E pas pesë ndeshjeve me 10 pikë. Dy pikë më pak i ka Republika e Çekisë, që ka një ndeshje më pak të luajtur. Moldavia në pesë ndeshje ka tetë pikë, po ashtu, kurse Polonia ka gjashtë pikë. Në vendin e fundit janë Ishujt Faroe me një pikë.
Sylvinho, të shtunën, në konferencën për shtyp, ka folur fillimisht për lëndimin e Ardian Ismajlit nga ndeshja e fundit me Empolin që barazoi pa gola të premten me Udinesen. Ai ka thënë se po e ndjekin me kujdes situatën e tij.
Për dy ndeshjet e tetorit, kundër çekëve dhe kundër Bullgarisë në miqësoren e 17 tetorit, Sylvinho ka ftuar 25 futbollistë. Në mesin e tyre është edhe Armando Broja, sulmuesi i Chelseat.
“Nuk është Roshi dhe kemi ftuar Brojën. Kemi ekuilibrin e duhur. Më vjen shumë mirë që të gjithë lojtarët aktivizohen, luajnë me klubet e tyre, shënojnë. Ne i monitorojmë të gjithë. Po mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Nuk kam asnjë shqetësim tjetër sa i përket të ardhmes apo Evropianit. Çekia është skuadër shumë e fortë, nuk ka asnjë humbje dhe ka pësuar vetëm dy gola. Duhet të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur”, ka thënë Sylvinho.
Braziliani Sylvinho, që me Barcelonën është dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, tri herë kampion në Spanjë e një herë fitues i Kupës së Spanjë, është ndarë i kënaqur me atmosferën brenda grupit. Por, kualifikimi ende nuk është i sigurt sipas tij.
“Siç e kam thënë që në fillim, që në muajin mars, llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntor dhe jo tani. E kemi thënë gjithmonë që është një grup shumë i fortë, jemi në një grup shumë të fortë, ka shumë ekuilibër. Nuk jemi në gjendje të bëjmë llogaritë tani sepse kemi përpara një sfidë shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Sigurisht luajmë në shtëpinë tonë, atmosfera do të jetë shumë e bukur, kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe gjithçka mund të ndodhë”, theksoi ai.
Në listën e përzgjedhësit Sylvinho ka munguar Amir Abrashi. Abrashi është pjesë e Grasshopperit në Zvicër dhe po paraqitet mirë.
Megjithatë, Sylvinho dha shpjegimin se pse nuk është ftuar Abrashi, mesfushori që ka dhënë kontribut të madh për “kuqezinjtë”.
“Abrashi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por në këtë sfidë ne kemi nevojë për centimetra, sidomos në mesfushë. Gjasula është një zgjedhje e duhur, nëse e krahasoj me Abrashin. Ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe na ka dhënë një ndihmë të madhe. Konkurrenca është e fortë dhe e rëndësishme. Abrashi është një lojtar më shumë vlera, por zgjedhja është bërë për shkak se kemi nevojë për centimetra në mesfushë”, tha tekniku brazilian.
Shqipëria ciklin kualifikues të Evropianit e mbyll në muajin nëntor me dy ndeshje që vlerësohen më të lehta në letër.
Luan në udhëtim te Moldavia më 17 nëntor, kurse ndeshjen e fundit eliminatore e zhvillon me Ishujt Faroe, më 20 nëntor.
Sylvinho dhe gjenerata aktuale janë afër që ta përsërisin suksesin e vitit 2016 të Shqipërisë, që ishte kualifikuar në Evropianin e organizuar në Francë.