Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi i sekuestruar sot në Mitrovicën e Veriut është gjetur në 12 lokacione të ndryshme.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sveçla ka deklaruar se armatimi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe analizave të detajuara për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me raste të tjera të hetuara.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se operacioni është rezultat i punës së institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë.
“Ky operacion është rezultat i punës së vazhdueshme dhe profesionale të institucioneve tona të sigurisë, si Policia e Kosovës, AKI-ja dhe po ashtu edhe Prokuroria”, ka shtuar ai.
Sipas Sveçlës, sekuestrimi i armatimit tregon vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vepruar ndaj çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.
“Gjetja e këtij armatimi është dëshmi e qartë se institucionet e Kosovës janë të vendosura të veprojnë pa kompromis ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka bërë të ditur gjithashtu se mbetjet mortore të 23 personave janë gjetur në tri lokacione ku po zhvilloheshin gërmime.
Sipas tij, në lokacionin e parë janë gjetur 13 mbetje mortore, në të dytin katër dhe në të tretin gjashtë.
Ai ka theksuar se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës, duke nënvizuar rëndësinë e zbardhjes së rasteve dhe identifikimit të personave të vrarë.
“Puna jonë nuk përfundon me gjetjen e këtyre armëve. Ajo vazhdon me zbardhjen e plotë të rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe mbi të gjitha, me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka nënvizuar Sveçla.
Sveçla ka kritikuar gjithashtu heshtjen e Serbisë dhe të Listës Serbe lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Sipas tij, kjo heshtje përbën tregues të mbështetjes ndaj atyre që i kanë planifikuar, organizuar dhe realizuar aktet e rënda.
“Heshtja e tyre, në fakt, është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka theksuar ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka përsëritur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën për zbardhjen e rasteve dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e luftës./teve1.info/








