Gjykata Supreme mbetët adresa ku mund të drejtohet mbrojta e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kërkuar uljen e dënimi.
Gjithashtu, ata mund të parashtrojnë kërkesë për ulje të dënimit pasi të pandehurit të arrijnë dy të tretat e vuajtjes së dënimit, për çka vendimin pastaj e merr kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale të enjten ka vendosur t’i heq tre muaj burgim nga dënimi i shkallës së parë ndaj Gucatit dhe Haradinajt, i cili ka qenë 4 vjet e gjysmë.
Ky dënim po vlerësohet i lartë nga avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Taulant Hodaj.
“Risi e këtij vendimi të Dhomës së Apelit është pika e dytë e aktakuzës apo janë shpall të pafajshëm dhe në lidhje me këtë, i është ulur lartësia e dënimit për tre muaj. Normal që pritjet nga komuniteti i avokatëve kanë qenë që do të ketë zbritje më të madhe të dënimit, duke marrë parasysh që raste të ngjashme që kanë qenë në ish-Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, këto veprat penale kundër pengimit të administrimit të drejtësisë, janë dënuar me muaj”, thotë ai.
Hodaj tha se Gucati dhe Haradinaj mund të kërkojnë në Supreme zbritje të dënimit.
“Të ky rast mund të kërkojnë në lidhje me pikën e dytë që janë shpall të pafajshëm dhe që është zbritje e dënimit për tre muaj, të kërkojnë që të zbritet dënimi më shumë, kjo është ndër bazat më kryesore që mund të kërkojnë në Dhomën Supreme në Gjykatën Speciale, sepse ky është një vendim komplet ndryshe nga Gjykata Themelore dhe nuk është shqyrtuar në dyshkallshmëri, do të thotë që Supremja me këtë mund ta shqyrtojë dhe nëse ka argumente të paktën të ulë lartësinë e dënimit”, thotë avokati Hodaj.
Ndërkohë, janë bërë 28 muaj prej kur Gucati e Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa kur të arrin në 34 muaj ata kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për ulje të dënimit, thotë Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
“Pra, deri më sot të pandehurit kanë qenë në paraburgim për rreth 28 muaj, kur të bëhen 34 muaj, ata kanë të drejtë që të paraqesin këtë kërkesë për ulje të dënimit dhe më pas kryetarja e Dhomave të Specializuara do të shqyrtojë kërkesën nëse të pandehurit i kanë plotësuar kushtet që të ulet dënimi dhe pas mbajtjes së një seancë dëgjimore, atëherë do të vendosin lidhur me kërkesën”, thotë ai.
E vendimin e Dhomës së Apelit nuk e kanë mirëpritur shoqatat e dala nga lufta në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari konsideron se me vendimin e së enjtes është dëshmuar edhe njëherë se Gjykata Speciale është politike.
“E kemi ditë që është e njëanshme, e kemi ditë që kjo gjykatë ka bashkëpunuar me prokurorinë serbe për të njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një gjë të tillë nuk do ta arrijnë kurrë, jo vetëm kjo gjykatë po asnjë gjykatë që themelohet me pretendime dhe tendenca të tilla…Ne e kundërshtojmë fuqishëm, e kundërshtojmë gjitha vendimet që ka marrë kjo gjykatë ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së dhe bartësve të kësaj lufte që padrejtësisht po gjenden në Hagë”, thotë Jashari.
Të enjten paneli i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e fajësisë për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur.
Gjithashtu, Apeli me përjashtim të gjykatësit Ambos, ka lënë në fuqi verdiktin e fajësisë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, nëpërmjet kërcënimit të rëndë.
Gjykatësit kanë lënë në fuqi dënimin me gjobë prej 100 euro.
Ish-krerët e OVL-UÇK ishin dënuar në shkallë të parë më 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa tani vendimi i Apelit ka përcaktuar 4 vjet e tre muaj burgim për secilin, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Gucati e Haradinaj janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë./KP/