Profesionistët shëndetësorë dhe grupet e të drejtave po paralajmërojnë se Izraeli po ndjek skenarin e njëjtë në Liban sikurse në Gaza.
“E kam jetuar këtë më herët”, tha për Associated Press, Mohammed Ziara , njëri nga kirurgët që po shërben në Liban, por që më parë shërbeu në spitalet e Gazës dhe pa shkatërrimin e sistemit shëndetësor atje, dy vitë më parë.
“nuk mund të kthehem në Gaza tani”, tha Ziara. “Por mund të jem këtu, në Liban”.
Për të përshkruar strategjinë e saj në këtë luftë, ushtria izraelite ka përmendur shkatërrimin që shkaktoi në Gaza pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Në një moment muajin e kaluar, avionët luftarakë izraelitë madje hodhën fletëpalosje mbi Bejrut duke paralajmëruar se pas “suksesit të madh në Gaza, një realitet i ri po vjen edhe në Liban”.
Ashtu siç bëri me Hamasin në Gaza, Izraeli akuzon Hezbollahun se fshihet dhe vepron nga zonat civile, si dhe përdor spitalet dhe ambulancat për qëllime ushtarake. Izraeli ka vënë në shënjestër gjithnjë e më shumë ekipet libaneze të ndihmës së shpejtë dhe qendrat mjekësore, duke detyruar disa spitale të evakuohen.
Që nga rifillimi i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars , sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 56 profesionistë të shëndetësisë deri të hënën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.
Izraeli ka kryer më shumë se 150 sulme kundër punonjësve të urgjencës mjekësore dhe ambulancave, dhe ka detyruar mbylljen e gjashtë spitaleve dhe 49 klinikave shëndetësore përmes sulmeve ose kërcënimeve, raportoi ministria.
Në sulmin e fundit që vrau dy ndihmës mjekësorë dhe plagosi rëndë një të tretë të hënën në mëngjes, ministria akuzoi Izraelin se kishte synuar qëllimisht një grup të ndihmësve të shpejtë në detyrë.
Ziara dhe ekipi i tij nga Interburns, i cili trajnon mjekë në të gjithë botën për kujdesin ndaj djegieve, kanë ngritur njësinë e parë të specializuar për djegiet në sistemin publik shëndetësor libanez.
Ky po shërben si një burim kritik në këtë vend të goditur nga kriza, ku lufta izraelie ka vrarë 1,461 persona dhe ka plagosur 4,430, sipas ministrisë.










