Studentët protestues kundër Vuçiqit provokohen me flamurin perandorak rus
Studentët serbë që po vazhdojnë protestat në forma të ndryshme nëpër Serbi, kundër regjimit të Aleksandar Vuçiq sot kanë marrë një tjetër veprim.
Disa prej tyre janë nisur në këmbë për në qytetin e katërt më të madh në Serbi, në Kragujevc.
Në mënyrë të organizuar, me ideologji të njëjtë rrugëtimi i tyre u filmua nga dikush.
Por diçka e çuditshme dhe dyshuese u pa mes turmës së këtyre studentëve.
Flamuri i kuq, i përzier me të verdhë dhe një portret në mes, zuri vend në dorën e dikujt që ndodhej afër protestuesve aty.
Flamuri po mbahej nga njerëzit anash studentëve, të cilët ishin të angazhuar për të mbajtur rend gjatë ecjes që studentët e bllokadave po bënin drejt Kragujevcit.
Flamuri doli të jetë i Rusisë. Bëhet fjalë për flamurin perandorak rus ‘Gonfalon’.
Për këtë ka reaguar menjëherë Dragan Shormaz, dikur bashkëpartiaku i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, e tash kundërshtar i përbetuar i regjimit të tij (Vuçiqit).
Shormaz i është lutur studentëve që u provokuan në këtë mënyrë, që të bëjnë gjithçka e ta largojnë atë flamur që ishte i pranishëm afër turmës.
“Ky është flamuri i ushtrisë ruse, e cila është agresore dhe po bën krime në Ukrainë! Ju lutemi hiqni këto flamuj nga protesta, ata janë vendosur për ju! Vlerat për të cilat ju qëndroni janë saktësisht e kundërta e asaj që përfaqëson ky flamur! Jini të qëndrueshëm dhe MBËSHTETËS”, ka shkruar Shormaz.
Kjo nuk është forma e vetme me të cilën u provokuan studentët që tash e sa kohë po kërkojnë drejtësi.
Gjatë parakalimit të tyre drejt Kragujevcit, përveç flamurit rus, dikush i provokoi edhe me këngë.
Një video që po qarkullon në Facebook tregon momentet kur një person po filmonte studentët, e në sfond kishte lëshuar këngën e “Vidovdanit”, festë serbe, që ndërlidhet me ‘Betejën humbur të Kosovës’, të cilën historia serbe e njeh si një fitore shpirtërore të saj.