Stoltenberg thotë se raketa që goditi Poloninë ka të ngjarë të jetë lëshuar nga mbrojtja e Ukrainës, por Rusia mban “përgjegjësinë përfundimtare”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se hetimet e hershme sugjerojnë se një sulm vdekjeprurës në Poloni të martën ishte “ndoshta” i shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
“Analiza jonë paraprake sugjeron se incidenti ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga raketa e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të mbrojtur territorin ukrainas kundër sulmeve me raketa ruse”, tha Stoltenberg gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Bruksel.
“Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare, pasi ajo vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës.”
Ai tutje theksoi se nuk kanë asnjë indikacion se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese, raporton BBC, transmeton teve1.info
“Ne nuk kemi asnjë indikacion se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s”, tha shefi i aleancës.
Zbarkimi i një rakete vdekjeprurëse në Poloninë lindore pranë kufirit me Ukrainën të martën shënoi herën e parë që një vend i NATO-s goditet drejtpërdrejt gjatë konfliktit. Udhëheqësit në samitin e G20 në Bali janë përpjekur që atëherë për të shpërndarë pasojat nga incidenti.