Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez paralajmëroi se sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit rrezikojnë të kthehen në një konflikt të zgjatur me pasoja globale ekonomike dhe bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar.
“Ne jemi kundër kësaj katastrofe. Qeveritë duhet të jenë këtu për të përmirësuar jetën e njerëzve, jo për t’i përkeqësuar ato”, tha ai në një fjalim televiziv, duke shtuar: “Është e papranueshme që disa përdorin mjegullën e luftës për të fshehur dështimet e tyre dhe, gjatë rrugës, mbushin xhepat e të njëjtëve pak njerëzve si gjithmonë.”
Sanchez kërkoi që palët t’i japin fund dhunës. “Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, apo objektivat e atyre që e nisën, por ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të shndërrohet në një luftë të gjatë”, tha ai.
“Nuk na pëlqen regjimi iranian, i cili shtyp njerëzit e tij, veçanërisht gratë, por ne kërkojmë një zgjidhje paqësore”.
Ai theksoi se përshkallëzimi ka shkaktuar qindra viktima dhe ka tronditur tregjet e energjisë e financiare, duke paralajmëruar: “Luftërat masive shpesh fillojnë për shkak të një sërë gabimesh, të panjohurash – nuk mund të luajmë ruletë ruse me jetët e miliona njerëzve”.
Duke krahasuar situatën me luftën në Irak, Sanchez tha se Spanja mbështet “vlerat e kushtetutës sonë, parimet e BE-së, Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe për këtë arsye mbështesim paqen”, duke shtuar: “Është naive të besosh se dhuna është përgjigjja ose se ndjekja verbërisht e të tjerëve është lidership.”
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të ndërpresë tregtinë me Spanjën pasi Madridi refuzoi përdorimin e bazave ushtarake për sulme ndaj Iranit.
“Do të ndërpresim të gjithë tregtinë”, tha ai, duke shtuar se mund të ndalojë “gjithçka që ka të bëjë me Spanjën”.
Sanchez nuk iu referua drejtpërdrejt kërcënimeve, por deklaroi se Spanja “nuk do të kemi frikë nga hakmarrja”.



