Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar nga sot procesin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të katër komunave në veri të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur për teve1.info se po ashtu janë vendosura edhe afatet e aktiviteteve për zgjedhjet për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
“Duke filluar nga sot, 9 mars, fillojnë afatet për zbatimin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq. Të gjitha këto aktivitete i referohen afatit prej 45 ditësh, pra nga sot deri në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.
Sipas tij, nga data 9 deri më 13 mars, subjektet politike mund të konfirmojnë kandidatët e certifikuar në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar.
Elezi po ashtu theksoi se KQZ-ja do të pranojë edhe aplikime të reja nga partitë politike deri më datën 18 mars.
“Gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar në ndonjërën nga katër komunat dhe 63 kandidatë për të garuar në zgjedhjet për dy kuvendet komunale. Ky proces do të vlejë, çka do të thotë se subjektet politike do të mundet që nga 9 deri më 13 mars të konfirmojnë kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, përveç konfirmimit të kandidaturave të certifikuara, KQZ-ja do të pranojë edhe aplikimet e reja nga partitë politike, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare apo koalicionet. Kjo do të mund të bëhet gjatë afatit 10 ditor, nga 9 deri më 18 mars”, deklaroi ai për teve1.info
Ndërsa fushata zgjedhore është planifikuar të zgjasë 18 ditë, nga 4 prill deri më 21 prill. /Teve1.info/