Një litër naftë në këtë pikë të derivateve u shit 1 euro e 76 cent.
Por diku tjetër çmimi i një litre të naftës mbërriti edhe në 1 euro e 82 cent.
E shtrenjtimi i këtyre lëndëve djegëse ka rënduar jetesën qytetarëve.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve të shtetit.
“Normal që na ndikojnë këto çmime duke pas parasysh pagat të cilat i kemi dhe kushteve të cilat i kemi çmimi i naftës është shumë shumë i lartë. Para dy ditëve ka qenë 1.75 cent e tash e 1.82 cent. Qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë masë psh në Maqedoni 1,20 cent nuk është më shtrejt”, ka thënë Shala.
“Duhet me ndërhy që nafta me zbritë se më herët ja ke qit 10 euro dhe ke pas mundësi me lëvizë nëpër Prishtinë e tash 20 euro -30 euro po shkojnë sahora”, u shpreh Karaqica.
Profesori i ekonomisë, Remzi Smajli e sheh të paarsyeshëm mos reagimin e institucioneve në uljen e këtyre çmimeve.
Sipas tij, Qeveria mund të ndërmarrë disa masa përveç uljes së TVSH-së dhe uljes se akcizës.
“Masat tjera të cilat Qeveria duhet të marr janë edhe subvencionimi i çmimit të naftës qoftë nga qytetarët drejtpërdrejtë apo edhe përmes konsumatorin e fundit sepse edhe firmat janë konsumator të fundit dhe masa të tjera që munden me shku deri tek tatimi i sheshtë në atë kuptimin e subvencionimit të tvsh-së për firmat nëse firmat do të ulshin çmimet”, theksoj Smajli.
Profesor Smajli thotë se largimi i TVSH-së dhe i akcizës do të ndikonte automatikisht në uljen e çmimin deri në 1.30 cent.
Nga Shoqata e Nafterarëve kanë treguar mundësit e lirimit të çmimit të naftës.
“Kur ka filluar lufta në Ukrainë, çmimet kanë qenë më të larta. Megjithatë, qytetarët tanë po furnizohen me çmime më të lira krahasuar me rajonin. Nuk mund të paragjykoj se çfarë çmimesh do të kemi në ditët në vijim, pasi ka lëvizje të mëdha në bursë dhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimet sot me pakicë sillen përafërsisht: Dizeli: 1.74€ – 1.82€ Benzina: 1.40€ – 1.44€ Çmimi furnizues me shumicë të premten ka qenë 1.74€. Çmimet pritet të ulen pasi të përfundojë lufta në Iran”, ka thënë Berjani.
Propozimet për heqjen e TVSH-së dhe të akcizës, kryeministri Kurti i konsideroi si jo të menduara mirë dhe se nuk bazohen nga përvoja të suksesshme.






