Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm, ku 63 minatorë mbetën të bllokuar në thellësi të minierës pas një avarie në sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Në reagimin e saj, Sindikata ka shprehur shqetësim të thellë për situatën dhe ka kërkuar që rasti të mos kalojë pa një hetim të plotë.
“Ne si Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje”, thuhet në reagim.
Sindikata ka theksuar se në vazhdimësi ka ngritur shqetësime për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjencës, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thuhet më tej.
Sindikata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë hetim të plotë dhe transparent për rastin, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të bëjnë një vlerësim urgjent të pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.
“Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”, thuhet në reagim.
Në fund, Sindikata ka theksuar se siguria dhe shëndeti i minatorëve duhet të jenë prioritet.
“Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit. Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, përfundon reagimi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.







