Mbrojtësi i Brazilit, Thiago Silva po e luan edicionin e tij të fundit me fanellën e Chelseat. Në fakt, 39-vjeçari po e luan edicionin e tij të fundit në Evropë pasi në verë do të rikthehet në Brazil.
Mediumet britanike kanë raportuar të premten se Silva tashmë ka marrëveshje me skuadrën e Fluminenses, të cilës do t’i bashkohet si lojtar i lirë pasi i skadon kontrata me Chelsean. Ai me Fluminensen do të firmosë kontratë njëvjeçare me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.
Silva prej vitit 2020 është pjesë e Chelseat, ndërsa këtë edicion ka 20 paraqitje dhe një gol të shënuar në të gjitha garat. Ai në Evropë ka luajtur edhe për PSG-në, Milanin, Dinamon e Moskës dhe Porton. Te Fluminense, Silva ka luajtur dy edicione përpara se të transferohet në Itali te Milani.











