Për herë të dytë brenda javës, deputetët e Legjislaturës së XI janë mbledhur në Kuvend.
Kjo pasi, seanca për konstituimin e Kuvendit kishte mbetur në gjysmë të enjten.
Megjithëse thirrja ishte bërë për në orën 11.00, deputetët si zakonisht filluan të hyjnë në sallë me vonesë, por kësaj here me rreth një orë më vonë.
Të parët që mbërritën ishin deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më pas, me radhë, deputetët nisën edhe të nënshkruheshin, për ta dëshmuar praninë e tyre.
Disponimi dukej i mirë nga të gjitha palët, ndërsa nuk munguan as bisedat mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të LDK-së.
Kur gjithçka ishte gati, kryesuesi i seancës, njëherësh deputeti më i moshuar, Avni Dehari, e hapi seancën konstituive.
Në rend dite ishte votimi i kryetarit dhe i nënkryetarëve të Kuvendit.
Për të propozuar kryetarin e Kuvendit, fjalën e mori kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Por, sapo Kurti nisi të flasë për takimet me kryetarët e partive të tjera, ai u shoqërua me reagime nga opozita.
Emri për kryetar nuk u propozua, ndërsa Kurti kërkoi kohë shtesë.
“Marrëveshje politike nuk kemi, andaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, tha Albin Kurti.
Por, situata u tensionua kur deputetja Time Kadrijaj e gjuajti Kurtin me vezë.
Në mbrojtje të Kurtit nga vezët dolën fillimisht Glauk Konjufca dhe Xhelal Sveçla.
Më pas, deputeti Valon Hoti në përpjekje për ta mbrojtur liderin partiak, e shtyu me duar deputeten Kadrijaj.
Ndërsa reagimi qe menjëhershëm i Besnik Tahirit, ai bëri që Hoti të largohej dhe Kadrijaj të vazhdonte hedhjen e vezëve.
Seanca më pas u ndërpre.
Më vonë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me shenja nga vezët në pantallona, u deklarua para gazetarëve.
Ai tha se është i gatshëm ta paguajë këtë “çmim”, nëse kjo do të çojë në dialog mes partive politike.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të dialogojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim. Vetëm le të vijnë në takim, vetëm le të ulemi e të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që hedhin vezë, ankohem që nuk duan të takohen”, deklaroi Kurti.
Hedhjen e vezëve e komentoi edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili tha se këto janë standarde të sjella nga vetë Kurti.
“Kjo është ironike dhe qesharake. Këto janë metoda të zotit Kurti. Ai i ka shpikur dhe i ka patentuar metoda të tilla”, tha Hoxhaj.
Kësisoj, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar të premten në mesnatë, thirrja e për seancën e sotshme u kundërshtua nga opozita me arsyetimin se çdo thirje konstituuese pas afatit 30-ditorë është antikushtuese. Kuvendi nuk u konsititua as gjatë së shtunës.






