Gjyqi në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka nisur fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.
Dy dëshmitarët e parë të këtij rasti, ishin dy zyrtarët policorë, Alban Rashiti e Çlirim Shaqiri, që janë edhe palë e dëmtuar në këtë proces gjyqësor.
I pari dëshmoi, Rashiti, i cili tregoi se si kishin hasur në dy kamionë të dyshimtë, që shënoi edhe fillesën e ngjarjes tragjike të 24 shtatorit të 2023.
“E kemi parku veturën 30 metra larg kamionëve, në një vend më të sigurtë, aty na është thënë nga njësia komanduese se dy njësi janë dërguar për asistencë. Kam dalë prej veturës me dy kolegë, jemi koordinu, që njëri me qëndru te vetura qe në rast emergjence me pas veturën afër, kurse dy të tjerë jemi afru tek kamionët me pa më saktë se cfarë po ndodhë’, ka thënë Rashiti.
Rashiti para trupit gjykues tregoi se atyre në asistencë u kishin ardhur, dy patrulla policie nga stacioni policor në Zveçam, me në krye rreshterin Afrim Bunjaku.
Në këtë kohë, zyrtarët policorë kishin vendosur që të shpërndaheshin në teren, ndërkohë që tentonin të lidheshin me komandat tjera për atë se çfarë po ndodhte në teren.
“Më është thënë që të qëndroj tëk vetura, derisa të tjeret kanë vazhduar për kontrollim rreth kamionëve. S’kom pas mundësi as me i përshendet për shkak të gjendjes dhe në ato momente, më ka kontaktu nënkolonel Elshani në telefon ku i kam tregu që kanë ardhë patrullat dhe gjatë bisedes me të kanë ndodhë dy shpërthime të njëpasnjëshme. Kam arritë me i thane në telefon qe ka shpërthime dhe gjuajtje”, ka thënë Shaqiri.
Nga këto sulme, të lënduar kishin mbetur të dy zyrtarët policorë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri.
Por asnjëri, nuk kishte lënë fushëbetejën.
Në ato momente, Rashiti kishte parë të shtrirë në tokë, rreshterin Afrim Bunjaku.
“Nga dhjetëra pozicione ka pasur gjuajtje me kalibra e arme të ndryshme. Në ato momente, posa e kemi lokalizuar se nga po vijne zjarret, kemi fillu me i kthy gjuajtjet. Në ato momente e kam pa qe rreshteri ka mbetur i shtrirë në shpinë, i gjakosur në qafë dhe i palëvizshëm”, ka shtuar Rashiti.
Sipas dëshmive të dy policëve, ata kanë qenë në pozicion të pafavorshëm, ndaj edhe lëvizjet e tyre duhej të bëheshin me kujdes.
Shaqiri gjatë dëshmisë thekson se Bunjaku nuk kishte pasur puls që në vendngjarje, por që për shkak të sulmeve të vazhdueshme e kishin të pamundur që t’i ofronin ndihmë tjetër.
“Kolegu Mirsad e ka marrë veturën tjetër dhe është afru tek rreshteri Bunjaku, me c rast ka fillu me tërhjek trupin e Bunjakut për me fut në veturë. Në ato momente kam kontrollu për puls, edhe pse sulmi asnjëherë nuk është ndalë, por nuk kam vërejt puls e për shkak të sulmit nuk kemi mundë më i dhanë ndihmë tjetër. Kolegët kanë arritë përkundër që janë sulmu vazhdimisht, kanë arrit me tërhjek trupin edhe me vazhdu për në mitrovicë të jugut”, ka thënë Shaqiri.
Dëshmitari Shaqiri tregon se ata kanë vazhduar me kundërpërgjigje ndaj sulmuesve, deri kur në teren kanë ardhur përforcime, ku Shaqiri bashkë me Rashitin ishin dërguar për në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për ndihmë mjekësore.
“Kam bë përpjekje me kërku ndihmë dhe asistencë prej kolegevë por ka kalu kohë, dhe është vonu ndihma, Më pas kemi vërejt një veturë të blinduar që ka ardhë nga baza e stacionit të Kushtovës. Pasi kemi arritë me u fut në veturën e blinduar, së pari jam fillu me i dhanë ndihmën kolegut Rashiti për shkak se ka pasë shumë gjakderdhje, kam arritë përmes improvizimeve t’ia ndalë gjakderdhjen”, ka përfunduar Shaqiri.
Që të dy zyrtarët policorë, deklaruan se nga 24 shtatori janë në pushim mjekësor dhe ende trajtohen për plagët e marra në sulmin e Banjskës.
Gjyqi ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimiviq, do të vazhdojë të mërkurën ku si dëshmitarë do të dëgjohen dy zyrtarë tjerë policorë.