Më 25 tetor të vitit 1996, në Surkish të Podujevës, u dëgjuan disa krisma.
Shumë shpejt u kuptua, që cak i tyre, ishte inspektori famëkeq serb, Millosh Nikoliq.
Ky i fundit ishte cak i celulave të para të UÇK-së, pas torturave që ushtronte mbi popullatën civile.
E në varrimin e Nikoliq, lot nuk derdhën vetëm forcat pushtuese serbe.
Këtu fjalim mortor, mbajti edhe një shqiptar nga Podujeva, i njohur si Maliq Sheholli.
Edhe veprimtaria e këtij të fundit, ra në syrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u cilësuar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të UDB-së serbe.
Për këtë një vit më vonë, edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë, Maliq Sheholli, u vu në shënjestër të celulave të para të UCK-së.
Kështu me 9 janar të vitit 1997, edhe Maliq Sheholli, e pati fatin e Millosh Nikoliqit.
Ndërsa përgjegjësinë për vrasjen e tij, e mori UÇK, përmes komunikatës nr. 28.
“Atentati i parë u krye kundër Fail Bellopojës në fshatin Besi të Podujevës, veprimtaria e të cilit u vlerësua si tejet e rrezikshme dhe antikombëtare, ndërsa i dyti kundër Maliq Shehollit, deputet i PSS, bashkëpunëtor i vjetër i UDB-së, pjesëmarrës në varrimin e antishqiptarit dhe kriminelit serb Millosh Nikoliq (i ekzekutuar nga njësitë tona më 25 tetor 1996), ku mbajti edhe një fjalim mortor”, thuhet nw komunikatën nr.28 tw UÇK-së.
E Hasan Zeneli, bashkëpunëtorë i afërt i komandant Zahir Pajaziti, thotë se Maliq Shehollit njihej si person që haptazi bashkëpunonte me regjimin serb.
“Diku rreth një vit përpara vrasjes së tij, Maliq Shehollit i është tërhequr vërejtja, prapë po them nuk e di kush por dikush nga grupet tona e ka hudh një bombë të dorës në oborrin e Maliq Shehollit… Maliq Sheholli është kyq në ato gjeneralet e shtetit të okupatorit serb, dmth e fitoi edhe autoritetin e një anëtari të parlamenti serb atje”, tregon ai për Tëvë1
Zeneli thotë se për shkak të gjendjes, pas aksioneve, nuk jepeshin shumë detaje.
“E kemi diskutuar edhe një herë më vonë me Zahirin sigurisht se po t’i kisha thënë po du me ditë kush e vrau, kisha pasë mundësi me ditë kush ka qenë sepse kam qenë njeriu shumë i afërt i tij mirëpo nuk kam qenë i interesuar ta ngulisë në mendjen time kush ishte atentatori dhe sot ndihem mirë që nuk e di se kush ishte atentatori, ndoshta edhe unë do të isha po të mos kishte qenë dikush tjetër”, shprehet Zeneli.
Veprimtaria e Maliq Shehollit, duket se ishte mjaftë e njohur ndër llapjanët.
Kjo pasi ajo detyroi edhe familjen e gjerë Sheholli, të dalin me një reagim në në gazetën “Bujku”, ku distancoheshin nga qëndrimet e Maliq dhe birit të tij, Fatmir Shehollit.
“Ngase distancimi ynë nga Maliq Sheholli dhe i biri i tij Fatmir, i bërë në vitin 1990, botuar në revistën fetare «Dituria islame», e cila është më pak frekuentuese, e shohim të nevojshme ta njoftojmë opinionin shqipfolës, kudo në botë, se familja e gjerë Sheholli (44 kryefamiljarë në pajtim me anëtarët e familjeve), përgjithmonë distancohet nga veprimet e këtyre të dyve: Maliqit e Fatmirit. Këtë e bëjmë, thuhet në këtë shkresë, sepse Maliqi dhe djali i tij Fatmiri janë vënë në shërbim të pushtuesit serb dhe kështu kanë bërë aktin më të lig njerëzor: tradhtinë kombëtare. Pavarësisht nga veprimet e këtyre renegatëve, kudo që janë, lëvizja jonë gjithëpopullore do të realizojë çlirimin kombëtar. E renegatëve kurrë s’mund t’u hiqet njolla e tradhtisë”, ishte distancimi i familjes Sheholli i bërë në vitin 1990.
Ndryshe, Maliq Sheholli, ishte babai i Fatmir Shehollit, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të martën ngriti aktakuzë për veprën penale “Spiunazh”



