Më 16 qershor të vitit 2023,gazetarët kosovarë po raportonin për një vizitë të ministrit të aso kohe, Elbert Lrqsniqi në Komunën e Leposaviqit.
Para objektit të Komunës po qëndronin protestues serbë, të cilët sulmuan fizikisht disa punonjës të mediave.
E më shumë se dy vjet pas, dy të akuzuar dolën para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku të enjten u mbajt shqyrtimi fillestar.
Sllavko Simiq dhe Urash Vukashenoviq po akuzohen për “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm”.
Seanca nisi me një shkresë të avokatëve serbë të cilët thonë se nuk janë pajisur me shkresat e lëndës në gjuhën serbe.
“Prokuroria disa herë e ka thirrë avokatin Dejan Vasiq përmes telefonit që shkresat e lëndës të vije dhe t’i marrë në Prokurori por që i njëjti nuk ka ardhë ti marrë të njëjtat, arsyeja pse Prokuroria nuk e di”, tha Ajtene Zoni – prokurore.
Por ata insistuan se nuk janë thirrur asnjëherë për t’i marrë ato.
“Asnjëherë nuk më kanë thirrë Prokuroria për të shkuar për t’i marrë shkresat e lëndës. Nga ana tjetër pse Prokurorja këtu nuk i ka dërguar këto me postë pasi posta punon. E treta, shikoni shkresat e destinuara për mua dhe shikoni të Prokurorisë, dhe tuaja dhe na tregoni se a janë krejt shkresat e lëndës që duhet t’i pranojë Prokuroria”, u shpreh Dejan Vasiq – avokate e Simiq.
”E kam shikuar këtë dokumentacion, nuk është komplet, as një e treta, në aktakuzë ceken si prova dhe 12 apo 13 të dëmtuarve apo dëshmitarëve unë i kam prnuar vetëm dy deklarata dhe ato janë shqip dhe nuk e kam marrë deklaratën e të pandehurit në Polici, raportin mjekësor për tre persona nuk e kam pranuar dhe ekspertizat”, tha Nebojsha Vllajiq – avokat i Vukashenoviq
Kësisoj gjyqtarja mori vendim për shtyrjen e kësaj seance dhe obligoi prokuroren t’ua dorëzojë atyre shkresat.
E përfaqësuesit e të dëmtuarve shprehën pakënaqësi për shtyrjen e kësaj seance dhe që këtij rasti t’i jepet sa më parë epilogu.
“Unë mendoj se është një spektakël dhe ky spektakël ka mund të evitohet lehtë me disa përgatitje, të aranzhuara më parë nga ana e Gjykatës të cilat është dashur të bëhen në mënyrë që mos të dështojë seanca e sotme”, tha Musa Damati.
“Shprehi zhgënjimin tim të thellë nga Prokuroria e Shtetit për shkak se të njëjtit edhe pas 2 vite e tre muaj nuk kanë qenë në gjendje të kryejnë një detyrim ligjor sipas nenit që është normë imperative nga neni 239 i Kodit të Procedurës Penale të cilët nuk kanë qenë në gjendje të na pajisin me shkresa as ne si përfaqësues të palës së dëmtuar mirëpo as palëve tjera”, deklaroi avokati Gazmend Halilaj.
E nënkryetari i Listës Serbe, u shpreh se është i pafajshëm lidhur me akuzat dhe se shpreson se kjo do të vërtetohet.
“Principi im themelor dhe kodeksi politik i im bazohet në atë që gazetari është i shenjtë dhe që sigurisht gazetarin nuk guxon askush ta prekë, dhe ashtu jam sjell ndaj gazetarëve, edhe në veri, edhe në jug, edhe kurdo që kam hasur në gazetarë shqiptarë në Veri kur kanë qenë të pranishëm në disa protesta këtyre viteve, gjithmonë u kam ofruar ndihmë dhe u kam dhënë përkrahjen edhe në aspektin teknik dhe në çdo aspekt tjetër. Kështu që nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident, edhe atëherë jam deklaruar dhe kam dënuar atë sulm, e sigurisht edhe sot, para kësaj Gjykate Themelore këtu në Mitrovicë, publikisht deklarohem dhe në mënyrë më të rreptë e dënoj sulmin në gazetarë dhe ekipet gazetareske”, tha Simiq
Seanca është caktuar të mbahet më 9 tetor nga ora 13:30.