Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka vizituar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, në Hagë, me rastin e 29-vjetorit të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë vizitë, ajo është shoqëruar edhe nga djali i tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Mehmeti-Selimi ka kujtuar këtë datë të rëndësishme të historisë së UÇK-së, duke rikujtuar paraqitjen publike të Rexhep Selimit 29 vjet më parë, së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn.
Ajo ka theksuar se në atë kohë, Rexhep Selimi u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri.
“Nga fushëbeteja kundër padrejtësisë, këtu në Hagë, sot kujtoj me krenari këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë. Po në këtë ditë, kujtojmë 28 Nëntorin e lavdishëm të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit. Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Postimin e saj, deputetja e ka shoqëruar me mesazhe përkujtimore kushtuar 28 Nëntorit dhe historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.








