Në 13 komuna të Kosovës gjatë periudhës 2018-2023, investimet kapitale në zonat rurale dhe urbane arritën vlerën 540 milionë euro. Derisa 442 milionë prej tyre u investuan në zonat urbane ndërkaq, 98 milionë të tjera në zonat rurale.
Kështu thuhet në prezantimin e raportit “Praktikat e 15 komunave në investimet e kapitalit nëpër lokalitet 2018-2023” nga Instituti GAP dhe Helveta DEMOS.
Derisa në këtë analizë shkruan se “shpërndarja e fondeve nëpër lokalitete rurale tregon pabarazi të dukshme”.
Komunat e përfshira në këtë raport janë Drenasi, Dragashi, Kaçaniku, Podujeva, Prizreni, Rahoveci, Ferizaj, Klina, Kamenica, Obiliqi, Peja, Suhareka, Vitia, Juniku dhe Graçanica.
Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu tha se investimet kapitale në 15 komuna te Kosovës gjatë periudhës 2018-2023 kanë pasur rritje të përgjithshme të buxheteve prej 40 për qind.
Përkundër kësaj, ai potencoi se në vitin 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19 pati rënie të buxhetit.
Salihu potencoi se shpërndarja e investimeve kapitale sipas fushave tregon një fokus të madh të investimeve në infrastrukturë, e cila mori mesatarisht 65% të buxhetit kapital në 15 komunat.
“Buxheti i komunave te fushat përkatësisht pikat kapitale ka pasur rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Nisur ose krahasuar nga viti 2018 në vitin 2023, buxheti i komunave përgjithësisht mund të konsiderohet që ka pasur rritje në 40 për qind të kapitalit. Kemi edhe periudhën 2020 dhe 2021, vitet kur konsiderohet që kanë qenë pandemik dhe siç e dini, masat e ndërmarra në parandalimin dhe rrugëtimin e këtij virusi kanë pasur ndikim të konsiderueshëm edhe tek pjesët e kapitalit. Analiza tregon që komunat përveç që kanë pasur vështirësi ta shpenzojnë buxhetin kapital për shkak të masave anticovid, në të njëjtën kohë kanë pasur edhe rënie të buxhetit për rreth 15 për qind… Shpërndarja e investimeve kapitale sipas fushave rezulton që komunat 65% të buxhetit kapital i shpenzojnë në infrastrukturë…Arsimi del të jetë fusha e dytë ku komunat i koncentrojnë investimet nga kategoria kapitale. Ndërkaq, shëndetësia ka dalur të jetë kategoria e tretë, por që kemi luhatje nga viti në vit”, tha Salihu.
Derisa prezantoi këtë raport, Salihu theksoi se nga 15 komunat e analizuara në këtë raport, Kamenica kishte rritjen më të madhe të buxhetit në kapitale në periudhën 2018-2023. Ndërsa, Graçanica dhe Juniku ishin të vetmet që kishin rënie buxhetore në po të njëjtën periudhë.
Salihu tha se investimet kapitale në 13 komunat e përfshira në raport arrijnë vlerën në 540 milionë euro.
Ai tregoi se investimet janë të përfshira 595 lokalitete, derisa 166 prej tyre nuk kanë përfituar asgjë nga investimet kapitale gjatë periudhës 2018-2023.
“Në 15 komunat e analizuara, Kamenica ka pasur rritjen më të madhe të buxhetit në kapitale. Në 2018-ën ka pasur vetëm 124 mijë euro në buxhet, ndërkaq, në 2023-ën ky buxhet është 2.2 milionë euro…Të vetmet komuna të cilat kanë pasur rënie të buxhetit në kapitale janë Graçanica dhe Juniku. Prizreni është komuna e cila ka buxhetin me të lartë në kapitale, me rreth 185 milionë euro…Në periudhën 2018-2023 investimet kapitale në 13 komuna të Kosovës përjashtuar Junikun dhe Graçanicën për shkak se këto komuna i nuk i kanë paraqitur të dhënat e detajura të shpenzimeve të mjeteve në kategoritë e kapitaleve…Ka pasur një dizpocizion për gjashtë vite 540 milionë euro. Prej tyre 98 milionë euro janë shpenzuar në zonat rurale dhe 442 milionë euro janë shpenzuar në zonat urbane…Këto 13 komuna përjashtuar Junikun dhe Graçanicën janë në gjithsej 595 lokalitete. Nga këto 166 lokalitete (28 për qind) nuk kanë përfituar fare investime kapitale gjatë periudhës 2018-2023”, potencoi Salihu.
Ndërkaq,drejtori i Departamentit të Buxhetit nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Salvador Elmazi tha se komunat kanë përgjegjësi përcaktimin e llojit të projektit.
Elmazi potencoi se në momentin që vlerësohet nga MFPT-ja që projektet e reja të propozuara nga komuna që nuk i plotësojnë kriteret e udhëzimit administrativ, dërgohen tek rezervat e komunës, që të ketë mundësi për rishikime.
Sipas tij, ky raport i GAP-it dhe Helvetas Demos, ka identifikuar një shpërputhje në investimet në zonat rurale dhe urbane, e që sipas tij kjo është përgjegjësi e komunave dhe Ministria e Financave nuk ka të drejta në këtë pjesë.
“Ne qysh në vitin 2019 kemi tri udhëzime administrative të nënshkruara nga Ministria e Financave të cilat kanë hyrë në fuqi që atëherë. Është udhëzimi administrativ për kriteret përzgjedhëse të projekteve kapitale… Në momentin kur vlerësojmë që projektet e reja të propozuara nga ana e komunës nuk i plotësojnë ato kritere minimale të udhëzimit administrativ, i dërgojmë në rezervat e komunës dhe në momentin që gjatë vitit fiskal ato projekte dërgohen për aprovim dhe i plotësojnë kushtet minimale i mundësojmë rishikim në buxhet…Raporti për të cilin po flasim ka identifikuar një problem, një shpërputhje ndërmjet investimeve në zonat rurale dhe urbane. Kjo është përgjegjësi e komunave dhe Ministria e Financave nuk ka të drejtë të intervenojë në atë pjesë”, tha Elmazi.
Ndër të tjera, në raportin “Praktikat e 15 komunave në investimet e kapitalit nëpër lokalitet 2018–2023” shkruan se shumica e lokaliteteve ku jetojnë komunitetet jo shumicë, me përjashtim të Dragashit dhe Prizrenit, përfitojnë pak ose aspak nga kategoria e buxhetit që i përket investimeve kapitale./KP