Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e vendit ndërmarrjen e një pakete masash për mbrojtjen e prodhimit vendor të qumështit, duke kundërshtuar përdorimin e vajit të palmës dhe produkteve të tjera të importuara si zëvendësim për qumështin e freskët.
Përmes një komunikate, Shoqata vlerëson se situata në sektorin e qumështit është përmirësuar kohëve të fundit, pasi, sipas saj, i gjithë qumështi vendor po grumbullohet, kërkesa është e lartë, ndërsa çmimi për fermerët ka arritur nivelin më të lartë të këtij viti.
“Kjo është një kthesë e rëndësishme pas një periudhe të vështirë për fermerët tanë. Megjithatë, ende mbeten probleme me vonesat në pagesa ndaj disa fermerëve dhe kjo duhet të rregullohet. Fermeri jo vetëm duhet ta ketë të garantuar grumbullimin e qumështit, por duhet të paguhet drejt dhe në kohë për çdo litër që dorëzon”, thotë SHQK.
Sipas komunikatës, përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur si zëvendësues të qumështit të freskët ndikon drejtpërdrejt në uljen e kërkesës për prodhimin vendor dhe ushtron presion mbi çmimin që marrin fermerët.
“Në fund, fermeri vendor humb tregun përballë një lënde të parë të importuar, më të lirë, e cila zëvendëson qumështin e prodhuar në Kosovë. Prandaj, rikuperimi që po shohim sot nuk duhet të jetë i përkohshëm. Duhet të ndërtojmë rregulla që e mbrojnë në mënyrë afatgjatë fermerin, përpunuesin korrekt dhe konsumatorin”, thekson tutje kjo shoqatë.
Sipas Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duhet të ndërmarrin një paketë të koordinuar masash për mbrojtjen e sektorit vendor të qumështit.
“Së pari, duhet të ndalohet përdorimi i vajit të palmës si zëvendësues i yndyrës së qumështit në produktet që prodhohen dhe tregtohen si qumësht apo produkte të qumështit. Nuk ka arsye që një sektor i ndërtuar mbi punën dhe investimet e mijëra fermerëve vendorë të dobësohet për t’i hapur treg një lënde të parë të importuar”, thekson tutje SHQK.
Së dyti, sipas kësaj shoqate, duhet të rritet ngarkesa fiskale, përfshirë akcizën aty ku krijohet baza përkatëse ligjore, për qumështin pluhur dhe hirrën pluhur të importuar që përdoren si zëvendësues të qumështit të freskët. Nuk duhet të jetë ekonomikisht më e leverdishme të importosh pluhur dhe të zëvendësosh qumështin sesa ta grumbullosh qumështin e freskët nga fermerët e Kosovës.
“Së treti, duhet të ndalohet importimi dhe vendosja në treg si “qumësht” apo “produkt i qumështit” e produkteve të huaja në të cilat yndyra e qumështit është zëvendësuar me vaj palme apo yndyra të tjera bimore. Produktet me yndyrë bimore duhet të identifikohen, kategorizohen dhe etiketohen qartë si të tilla. Ato nuk duhet të futen në treg dhe të konkurrojnë me produktet e mirëfillta të qumështit duke përdorur emërtimin, prezantimin apo kategorinë e rezervuar për produktet e qumështit”, vazhdon tutje qëndrimi i SHQK-së.
Tutje kjo shoqatë ka kërkuar që Administrata Tatimore e Kosovës të zhvillojë një verifikim të posaçëm tatimor për të shqyrtuar dyshimet nëse produkte të prodhuara me vaj palme apo yndyra të tjera bimore janë deklaruar, faturuar ose raportuar si qumësht apo produkte të qumështit dhe, rrjedhimisht, kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga norma e reduktuar e TVSH-së që zbatohet për qumështin.
“Nëse konstatohen raste të tilla, duhet të përcaktohen detyrimet shtesë tatimore, përgjegjësitë përkatëse dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, rastet t’u referohen organeve kompetente. Krahas këtyre masave, duhet të garantojmë kontrata të rregullta ndërmjet fermerëve dhe përpunuesve, afate të qarta të pagesës, transparencë në çmim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të tregut. Nuk mjafton që qumështi të grumbullohet sot; duhet të krijojmë kushtet që fermeri të ketë siguri se qumështi i tij do të ketë treg edhe nesër”, tha ai.
Këto masa sipas Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës nuk janë kundër tregtisë apo konkurrencës.
“Përkundrazi, janë masa për konkurrencë të drejtë, mbrojtje të konsumatorit dhe mbrojtje të prodhimit vendor. Qumështi duhet të konkurrojë me qumësht. Një produkt ku yndyra e qumështit është zëvendësuar me vaj palme nuk duhet të paraqitet dhe të trajtohet në treg sikur të ishte produkt i mirëfilltë i qumështit”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas SHQK-së, fermeri kosovar investon në fermë, bagëti, ushqim, pajisje, higjienë dhe cilësi, përpunuesi vendor investon në kapacitete dhe punësim, derisa konsumatori paguan duke besuar se po blen atë që shkruan në produkt.
“Ky zinxhir duhet të mbrohet nga konkurrenca e padrejtë dhe nga zëvendësimi i qumështit vendor me lëndë të para të importuara. Qumësht vendor. Përpunim vendor. Konsum vendor. Kjo është mënyra për ta mbajtur vlerën brenda Kosovës — nga ferma, te përpunuesi dhe deri te konsumatori. Qumështi duhet të konkurrojë me qumësht — jo me vaj palme të importuar të paraqitur si produkt qumështi”, thuhet në fund të komunikatës së Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës.








