Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të samitit të Brdo–Brijunit, i cili këtë vit po mbahet në Ohër.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si dhe për proceset integruese të të dyja vendeve.
Shiroka-Pula ka theksuar lidhjet e veçanta ndërmjet dy shteteve, të cilat, sipas saj, janë të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe përkatësi të përbashkët.
“Nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët.
Në takim është diskutuar edhe për orientimin strategjik të të dyja shteteve. Presidentja Shiroka-Pula ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.
Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, koordinimit dhe shkëmbimit të përvojave.
Po ashtu, presidentja ka bërë të ditur se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë në zbatim.
Në përfundim, Shiroka-Pula ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojnë të konkretizohen përmes bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.







