Juristi, Hasan Shala ka deklaruar se përgjegjësinë kryesore për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës e ka Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Shala ka thënë se zgjidhja për krijimin e institucioneve duhet të vijë nga Kurti dhe jo nga partitë opozitare.
Sipas tij, në sistemet demokratike opozita nuk i ndihmon pozitës në formimin e institucioneve pa një marrëveshje politike.
“Së pari, Kurti duhet ta bindë veten se qytetarët ia kanë dhënë besimin për të themeluar institucionet shtetërore dhe për të udhëhequr vendin. Këtë e ka obligim ndaj të gjithë votuesve dhe qytetarëve të Kosovës. Ai e ka përgjegjësinë kryesore, pasi duhet të gjejë zgjidhje dhe jo partitë e vogla apo opozita. Askund në botë, në një shtet demokratik, opozita nuk i ndihmon pozitës në krijimin e institucioneve shtetërore pa një marrëveshje politike”, ka deklaruar Shala.
Shala ka përmendur edhe rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin ka thënë se, edhe me rreth 30 për qind të mbështetjes qytetare, arrinte të formonte institucionet përmes kompromiseve me partitë e vogla.
Ai ka theksuar se problemet institucionale nuk lidhen vetëm me zgjedhjen e presidentit, por edhe me funksionimin e institucioneve të tjera që, sipas tij, kanë mbetur për një kohë të gjatë me ushtrues detyre.
“Problemi nuk është vetëm te presidenti, por kemi edhe çështje të tjera institucionale. Për shembull, kemi institucione që tash e një kohë janë me ushtrues detyre. Ne kemi pasur një përvojë kur Hashim Thaçi, me 30 për qind të votave, arrinte të gjente zgjidhje dhe të bënte kompromise me partitë politike për themelimin e institucioneve”, ka thënë ai.
Duke komentuar qëndrimet e Vetëvendosjes se opozita së bashku nuk përfaqëson një përqindje më të madhe të votave sesa kjo parti, Shala ka thënë se kjo nuk paraqet pengesë.
Sipas tij, është Kurti ai që ka nevojë për mbështetjen e opozitës për themelimin e institucioneve, ndërsa ka kritikuar qasjen e tij ndaj partive opozitare.
“Nuk është aspak problem. Pyetja është: a ka nevojë Albini për opozitën apo opozita për të? Kjo është kurtha e Kurtit, i cili po e vendos opozitën në një pozitë ku i kërkon t’i japë një emër. Unë nuk do t’i jepja emër atij, por do ta pyesja: a ke nevojë ti për mua apo unë për ty? Sigurisht që është Albin Kurti ai që ka nevojë për opozitën për t’i themeluar institucionet e Kosovës, sepse besimin e ka marrë nga qytetarët”, ka deklaruar Shala.
Ai ka shtuar se opozita duhet të mbajë qëndrim të prerë dhe të kërkojë marrëveshje politike para se të japë mbështetjen e saj.
“Kurti është duke u tallur me opozitën, prandaj edhe opozita duhet t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke i thënë se derisa nuk sjell një emër të presidentit që i përshtatet, nuk do ta japë votën”, ka përfudnuar Shala./teve1.info/







