Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se çmimi aktual i energjisë elektrike është i papërballueshëm për qytetarët.
Ai ka thënë se ky çmim duhet zbritur, pasi sipas tij, rritja ka ndodhur kur ka pasur ngritje ndërkombëtare të çmimit dhe tashme zbritja atje duhet të reflektojë edhe në Kosovë.
“Kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike është e papërballueshme, prandaj duhet zbritur kjo tarife, sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum…Po ashtu gjatë marrjes se dy vendimeve për ngritjen e çmimit të energjisë ZRrE-ja dhe Qeveria ishin ankuar se çmimi në BERZEN ndërkombëtare është tepër i lartë, dhe vërtetë për kohën atëherë ishte i lartë, sillej rreth 400-450 euro për MWh. Por, sot kjo gjendje ka ndryshuar pozitivisht dhe kemi një rënie të çmimit në 100-107 euro për MWh. Pra, nëse çmimet në BERZA ndërkombëtare kanë ra, tek ne nuk ka ndryshuar, edhe pse është thënë se kjo rritje është bërë për shkak të importit dhe sasive të mëdha të importit”, ka deklaruar Shala në Kuvend, shkruan teve1.info
Tutje, ai ka kërkuar nga Kuvendi që të miratojë rezolutën e cila përmban 5 pika.
Pika e parë rekomandon anulimin e vendit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar
“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;”.
Pika e dytë e kësaj i rekomandon ZRrE-së që brenda afatit të arsyeshëm kohorë të marr vendim për heqjen e bllok tarifës,.
“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;”, deklaroi Shala.
Pika e tretë “i rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024”.
Në pikën e katërt parashihet që Qeveria e Kosovës të obligohet për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.
“Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj resolute”, është pika e pestë e rezolutës./teve1.info