Profesioni i mësuesit në Kosovë po përballet me sfida të reja dhe rrezikon të mos tërheqë kuadrot më të mira, u tha në hapjen e konferencës ndërkombëtare KICER 2026 në Prishtinë. Aty u shtrua nevoja që praktikat më të mira duhet të shndërrohen në udhërrëfyes të politikave shtetërore në arsim, raporton KosovaPress.
Ishte ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku i cili e tha se kjo konferencë duhet të nxisë diskutim për të ndarë përvojat e mira.
“Kjo konferencë është në vitin e gjashtë të saj, me mbi 200 pjesëmarrës dhe me rreth 100 prezantime del të jetë forumi më i madh për arsimin në Kosovë. Kjo konferencë duhet të na nxisë diskutim për të ndarë përvojat e mira, për të marrë mësime, për të analizuar sfidat dhe arritjet tona e veçanërisht për ta projektuar të ardhmen e shkollave dhe të universiteteve tona. Kjo konferencë është e organizuar nga Fakulteti i Edukimit, pikërisht aty ku nisin ndryshimet, aty ku formohen dhe përgatiten mësimdhënësit e ardhshëm. Kjo platformë duhet të kontribuojë në bashkërendimin e politikave tona shtetërore. Temat që do të trajtohen në këto dy ditë pune janë të shumta, mbi të cilat po ashtu janë referuar shumë. Çdo sistem arsimor ka rëndësi aty ku arrihet cilësia e mësimdhënies për studentët që e përbëjnë atë. Ne jemi të përkushtuar që praktikat më të mira të shndërrohen në udhërrëfyes të politikave tona shtetërore”, tha Çeku.
Në kuadër të kësaj konference vëmendje e posaçme iu kushtua edhe arsimit të hershëm, për çka rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu i cili theksoi rëndësinë që ka përmirësimi i cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
“Të gjitha studimet tregojnë që arsimi i hershëm do të fillojë prej kopshteve edhe në formësimin në shkollat fillore e të mesme është fort i rëndësishëm. Kur vijnë tek ne në universitet, atëherë duhet edhe t’i trajtojmë edhe t’i shohim si kolegë. Të përmend këtë, vetëm me rikujtu, jo me ju mësu ju profesorët e Fakultetit të Edukimit për rëndësinë e fushës ku ju kontribuoni dhe punoni çdo ditë, që jemi shumë të varfër për me injoru një sektor kaq të rëndësishëm drejt një shoqërie të dijes. Jam i bindur që vullneti nuk ka munguar asnjëherë më parë, po as tani nga Ministria e Arsimit dhe nga secili dhe secila anëtare e kësaj shoqërie, po ne duhet të shohim dhe të mësojmë se çka po bëjmë mirë, e çfarë duhet bëjmë edhe më mirë”, tha Hajrullahu.
Për sfidat me të cilat po përballet profesioni i mësuesit në ditët e sotme, foli dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, i cili ngriti pyetjen nëse mësimdhënia vazhdon të mbetet profesion tërheqës për talentet e reja.
“Çdo konferencë është një mundësi për shkëmbim dhe prezantim të rezultateve shkencore, por kjo konferencë ka dhe një dimension pak më ndryshe, një dimension tjetër. Ky është, krijon një hapësirë për reflektim, diskutim me të cilat po përballet profesioni i mësuesit në ditët e sotme. Duke ditur se ekziston një dakordësim i gjerë për t’i cilësuar shkollat sot në Kosovë, është momenti sot dhe asnjëherë më parë që t’i bëjmë disa pyetje që janë shumë relevante. Si po ndryshon profesioni i mësuesit? Cili është statusi i tij në shoqëri? Apo arrin të tërheqë kuadro dhe talente më të mira në këtë vend dhe këtë profesion?”, tha Saqipi.
Ndryshe, në edicionin e sivjetmë – i gjashti me radhë i konferencës dyditore “Kosova International Conference on Educational Research- KICER 2026” në Fakultetin e Edukimit në Universitetn e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfshihen ligjërata nga nga profesorë, si dhe pritet të ketë një numër të madh të prezantimeve shkencore të organizuara në 22 sesione paralele.








