Kampe paraushtarake, përhapje e urrejtjes racore dhe fetare, spiunazh në Evropë, ndjekje e aktivistëve opozitarë rusë dhe strehim për diplomatët e dëbuar rusë.
Këto janë disa nga aferat që e lidhin Rusinë me Serbinë.
Autoritetet serbe, të cilat ruajnë lidhje miqësore me Kremlinin, deri më sot nuk kanë zbardhur asnjë prej tyre.
“Etiketimi i strukturave ruse si inspiruese ose organizatore do të nënkuptonte një ashpërsim të hapur të marrëdhënieve me Rusinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë.
Beogradi mbështetet te Moska, jo vetëm për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës, por edhe për shkak të varësisë nga gazi.
Serbia është një nga pak vendet evropiane që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Kontaktet zyrtare nuk janë ndërprerë as katër vjet pas fillimit të luftës, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që Beogradi të distancohet nga Moska.
“Prania e shërbimeve ruse në Serbi është një sinjal, si për Perëndimin ashtu edhe për aktorët vendas, që tregon se Rusia ka ende qasje dhe ndikim në Serbi”, shton Bjellosh.
Kampet e trajnimit
Rasti i kampit paraushtarak rus, i zbuluar pranë lumit Drina në pjesën perëndimore të Serbisë në shtator të vi Dyshohet se trajnimi luftarak-taktik, i organizuar në objektin turistik “Sunçana reka”, kishte për qëllim të ofronte rezistencë fizike ndaj Policisë së Moldavisë, në rast trazirash gjatë ditës së zgjedhjeve, më 28 shtator 2025.
Të dy ata janë të lidhur me ministrin prorus pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq.
Llazar Popoviq ishte më herët këshilltar i tij, ndërsa Stevanoviq fillimisht ishte anëtar i Partisë Popullore Serbe (SNP) të Popoviqit, e më pas i “Serbisë së Shëndetshme” – pjesë e koalicionit qeverisës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më vonë se autoritetet në Serbi kanë konstatuar se në kamp kanë qenë tre shtetas rusë.
Megjithatë, ai nuk e lidhi kampin me shërbimet ruse të inteligjencës.
Rusia nuk përmendet zyrtarisht as në njoftimet e Policisë dhe Prokurorisë serbe.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bëri të ditur se gjatë trajnimit luftarak-taktik në “Sunçana reka” kanë marrë pjesë 150 deri në 170 shtetas nga Moldavia dhe Rumania.
Në kuadër të hetimeve në Moldavi u ndaluan mbi 70 persona, dhe shumica dyshohet se janë trajnuar në Serbi.
Ata akuzohen për përgatitjen e trazirave masive dhe destabilizimin e Moldavisë përpara zgjedhjeve parlamentare më 28 shtator, ku partia proevropiane qeverisëse fitoi bindshëm ndaj koalicionit prorus.
Nga Zyra e Prokurorit të Moldavisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me fazën e hetimeve dhe nëse ka të dhëna të reja për këtë rast. Rusia e ka mohuar përfshirjen në procesin zgjedhor të Moldavisë.
“Të dyshuarit janë marrë në pyetje, dëshmitarët janë intervistuar. Në proces janë ekspertizat e nevojshme”, tha për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Lartë Publike në qytetin e Shabacit.
Kjo prokurori po kryen hetime ndaj Llazar Popoviqit nga Beogradi dhe Sava Stevanoviqit nga Lloznica.
Më 6 shkurt, Popoviqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me disa garanci, iu tha Radios Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë në Shabac, ndërsa Stevanoviq u lirua më 17 tetor, pas intervistimit të dëshmitarëve.
Gjykata në Moldavi, ndërkohë, ka dënuar tre persona për organizimin e trajnimeve gjatë vitit 2024 në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Bosnje e Hercegovina ka hapur, gjithashtu, një rast lidhur me trajnimet që janë mbajtur në këtë vend gjatë vitit 2024.
Nxitja e urrejtjes racore dhe fetare në Paris dhe në Berlin
Në fazën e hetimeve është edhe rasti i 11 shtetasve serbë të arrestuar nën dyshimet se kanë kryer një sërë veprimesh raciste në Paris dhe në Berlin.
Sipas Policisë serbe, këto veprime ishin të drejtuara kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane, me qëllim rritjen e tensioneve në shoqëri.
Ata u arrestuan në fund të shtatorit të vitit 2025 në Smederevë – 60 kilometra në jug të Beogradit.
Në lidhje me statusin aktual të të dyshuarve, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Prokuroria e Lartë në Smederevë.
Në dhjetor, kjo prokurori i tha REL-it se për 9 të dyshuar është zgjatur paraburgimi, ndërsa për 2 të tjerë që më parë janë transferuar në paraburgim shtëpiak, nuk është bërë e ditur nëse masa është zgjatur.
Pas arrestimeve, Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur se një person, i cili është ende në arrati, dyshohet se “në bazë të udhëzimeve të një shërbimi të huaj inteligjent” ka organizuar dhe trajnuar në territorin e Serbisë një grup prej 14 shtetasish serbë.
Prokuroria e Lartë në Smederevë, në një prononcim për REL-in lidhur me arrestimin e këtij personi, deklaroi se “për momentin, nuk është e mundur të jepen informacione, për të mos i dëmtuar hetimet”.
Dy incidente, që ndodhën brenda disa muajve, tronditën opinionin publik në Francë në vitin 2025.
Fillimisht, në fund të majit, persona të panjohur hodhën ngjyrë të gjelbër mbi Muzeun e Holokaustit, tri sinagoga dhe një restorant në qendër të Parisit.
Më pas, në fillim të shtatorit, përpara nëntë xhamive në Paris u vendosën koka derri, ndërsa mbi disa prej tyre ishte shkruar emri i presidentit francez, Emmanuel Macron.
Para Portës së Brandenburgut në Berlin, gjithashtu, ishin shkruar mesazhe diskriminuese.
Portali hulumtues “Mediapart” nga Parisi shkroi në nëntor të vitit 2025 se shërbimi sekret francez ka arritur të sigurojë dokumente të brendshme të Kremlinit, nga të cilat shihej se administrata presidenciale e Rusisë kishte “miratuar drejtpërdrejt” shkatërrimin e monumenteve hebraike në maj të vitit 2025.
Sipas përmbledhjes së raportit, Kremlini synonte “t’i rriste tensionet” midis komunitetit hebraik dhe atij mysliman në Francë, “për të nxitur ndarje brenda shoqërisë franceze dhe për të dobësuar kohezionin kombëtar”.
Prokuroria kompetente në Francë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me këto informacione.
Afera “Spiuni rus”
Në nëntor të vitit 2019, në internet u shfaq një video ku supozohej se një agjent i inteligjencës ruse po i jepte para një ish-pjesëtari të Ushtrisë së Serbisë.
Sipas zyrtarëve të lartë serbë, videoja u regjistrua gati një vit më parë, më 24 dhjetor 2018.
Autenticitetin e videos për mediat e konfirmoi Rela Zhelski, udhëheqës i analizës në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), duke thënë se “në të shihej agjenti rus, Georgij Kleban”.
Edhe pse fillimisht thirri një mbledhje të Këshillit për Sigurinë Kombëtare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me ambasadorin rus, Aleksandr Bocan-Harchenko, deklaroi se për të, çështja e agjentit rus është e mbyllur.
Nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd thanë për REL-in në dhjetor të vitit 2019 se ky institucion nuk është duke zhvilluar ndonjë procedurë në lidhje me këtë rast. Teskti i plotë.











