Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ka njoftuar se janë arrestuar katër shtetas të Shqipërisë për siç thuhet në njoftim, “nxitje të urrejtjes” dhe “intolerancës kombëtare” pasi ata publikuan një video gjatë vozitjes në autostradën e Serbisë, në të cilën kanë treguar simbole shqiptare.
Këto veprime, institucionet e Serbisë i kanë ndërlidhur me përvjetorin e 27-të të sulmeve të NATO-s.
“Dyshohet se AS sot, në ditën që shënon fillimin e agresionit të NATO-s, në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook ka publikuar publikisht një video në të cilën është në makinën “Audi” në shoqërinë e të dyshuarve të tjerë, duke ngarë në autostradën përmes Serbisë, dhe në mënyrë të papërshtatshme kanë treguar simbolet e ‘Shqipërisë së Madhe’, si dhe verbalisht, në kontekst negativ, kanë përmendur Republikën e Serbisë, me fjalë të papërshtatshme”, thuhet në deklaratën e MPB-së.
Sipas njoftimit, shtetasit e Shqipërisë që u arrestuan janë të moshës nga 21 deri në moshën 48 vjeç.
Tutje në njoftimin e MUP-it serb, ata janë ndaluar për 48 orë, për t’u dërguan në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd – Departamenti Special për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë, së bashku me një kallëzim penal.







