Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka shprehur mbështetjen Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, si dhe perspektivës euroatlantike të vendit.
Përmes një letre drejtuar Presidentes, Shaheen ka falënderuar atë për mikpritjen gjatë vizitës së saj në Kosovë, si dhe për nderimin që i është bërë gjatë qëndrimit në vend.
Në letrën e saj, senatorja amerikane është ndalur edhe te zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur shpresën se me Presidenten Shiroka Pula dhe Qeverinë e re, vendi do të nisë një kapitull të ri drejt prosperitetit dhe forcimit të sigurisë.
Shaheen ka ritheksuar përkushtimin e saj për vazhdimin e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e perspektivës euroatlantike të vendit.
“Si përkrahëse e fuqishme e marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën dhe popullin e saj, si dhe e së ardhmes euroatlantike të Kosovës, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në mbështetje të Kosovës. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por jam e bindur se ju do të jeni një forcë stabilizuese për Kosovën”, thuhet në letrën e senatores Shaheen.
Në përfundim të letrës, senatorja amerikane ka falënderuar Presidenten për partneritetin dhe mikpritjen e treguar, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e saj ndaj Kosovës edhe në të ardhmen.
Letra e Jeanne Shaheen është bërë publike nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila ka njoftuar për mbështetjen e shprehur nga senatorja amerikane ndaj institucioneve dhe perspektivës euroatlantike të vendit.







