Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është ndërprerë dhe do të vazhdojë në ora 13:30. Sot, në seancë, fokusi ka qenë mbi mbrojtjen e Murselit dhe sqarimet për ngjarjen e 29 nëntorit 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Gjatë kësaj seance Murseli ka deklaruar se armën e kanë blerë së bashku me të akuzuarin tjetër, Granit Plava, me qëllim përfitimin nga rishitja e saj.
“Po. Sepse ai tha që e shet dyfish të nesërmen, kjo ishte arsyeja. Me atë qëllim e kam blerë.”
Gjyqtarja Fatime Dermaku e ka pyetur për përfitimin e tij në rast se Plava do ta shiste armën, dhe Murseli tha se nuk do të kishte përfitim personal, por thjesht do t’i ndihmonte Plavës, të cilin e njihte si bashkëfshatar dhe shok të të akuzuarit tjetër, Kushtrim Kokalla, i cili është edhe i afërm i tij. Ai ka shtuar se më vonë kuptoi se me atë revole ishte kryer vrasja e bashkëshortes së tij.
Se nuk ka parë Liridonën të vrarë në veturë, por e ka parë të nesërmen në morg.
Se natën kritike ka qenë pre e një grabitjeje të armatosur dhe fëmijët janë larguar nga vendi i ngjarjes me familjen e të ndjerës.
Se udhëtimi me Granit Plavën drejt Prishtinës natën e vrasjes ka qenë spontan, pa planifikim paraprak.
Gjyqtari Alban Ajvazi e ka pyetur edhe për shenjat në dorën e viktimës dhe raportin mjeko-ligjor. Murseli ka thënë se nuk ka përgjigje konkrete, duke u bazuar në ekspertizën mjeko-ligjore. Ai ka shtuar gjithashtu se gjatë vizitës në morg i janë konfiskuar 1,350 euro, pjesë e një shume prej 2,000 eurosh që ia ka dhënë Valon Lluka.
Sot në gjykatë janë trajtuar edhe elemente të tjera nga aktakuza:
Murseli akuzohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30,000 euro.
Kokalla akuzohet se ka kryer vrasjen në bashkëkryerje.
I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit dhe Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar fillimisht me 5 vjet burgim, më pas Apeli e ka ulur në 3 vjet.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm, ndërsa Plava nuk ka dhënë deklaratë për fajësinë dhe Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.








