Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka arritur në Prokurorinë Speciale për intervsitim, pas deklaratave të dhëna për rastin e Astrit Deharit, ku kishte deklaruar se pesë prokurorë që janë marrë me rastin e Deharit kanë qenë në prag te pensionimit e sipas tij, kjo ka qenë strategji e Prokurorisë Speciale.
Ai ka qenë i shoqëruar nga avokati Tomë Gashi.
“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua! Kjo sjellje e prokurorisë nxjerr dy pyetje thelbore:- A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale?- Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?”, kishte shkruar Kurteshi pas thirrjes nga Prokuroria.
Në konferencën e mbajtur javën e kaluar, Kurteshi ka implikuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, në rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Kurteshi ka thënë se të përfshirë në “inskenim” të këtij rasti kanë qenë edhe Policia, Prokuroria dhe AKI-ja.
Sipas tij, pesë prokurorë që janë marrë me rastin kanë qenë në prag të pensionit.
Kurteshi ka thënë se kjo është përdorur si strategji e Prokurorisë që rasti të zvarritet.
“Rastin e kishte prokurori Metush Biraj. Ky prokuror vetëm ka nënshkruar sepse rolin kryesor e ka luajtur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Sylë Hoxha, që më vonë për këtë punë është dekoruar si prokuror i Prokurorisë Speciale. Sot është i pensionuar dhe punon avokat në Prizren. Po ashtu edhe Metush Biraj. Prokuroria ka dërguar dëshmi të manipuluara në Lozanë (Institutin e mjekësisë ligjore në Zvicër).. Ka dërguar zarfe të zbrazëta. Ky është prokurori i pestë që pensionohet dhe nuk e ka përfunduar rastin. Nuk mund të fshihet një krim i vrasjes duke shkuar në pension dhe duke i lënë punët në gjysmë. Afrim Shefkiu për rreth 3 vjet e gjysmë nuk ka bërë asgjë pos që e ka marrë në pyetje rreth 2-3 herë Albulena Haxhiun për postimet në Facebook. Nuk ka dhënë asnjë urdhër për hetim të urdhërdhënësve për vrasjen e Astrit Deharit. Strategjia e prokurorisë: zvarritja e rastit, bartja e rastit te prokurorët parapensionistë që dorëzojnë stafetën e krimit nga njëri te tjetri. Rasti nuk mund të zvarritet në përjetësi, do të zbardhet”, është shprehur ai.
Kurteshi: Kishte urdhër politik nga maja e shtetit për vrasjen e Deharit