Rrugët e tregut në kryeqytet, vikendeve herë mbusheshin, e herë dukeshin të zbrazëta.
Konsumatorët që kalonin andej, kontrollonin gati në secilën tezgë, për çmimet më të lira në treg.
Ndonjëherë, shitësit bënin zbritje për ta.
“Po ankohen po bëjmë ngapak zbritje këtu në treg në përgjithësi bëjnë zbritje krejt”, tha shitësi, Bexhet Retkoceri.
“Njerëzit s’po kanë edhe të ardhura aq të mira, i kuptojmë krejt po nganjëherë kur e dimë që e ka situatën jo aq mirë bëjmë lëshime”, tha shitësi tjetër, Idriz Kurtolli.
Ndërsa edhe gjatë festave, pronarët e bizneseve theksuan se nuk i ngritën çmimet e produkteve të tyre.
“Ne i kemi çmimet ende qato çmime”, tha Hyla Hakaj-Pllana, pronare e një biznesi.
Se nuk pati lëvizje të çmimeve u tha edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.
“E them me përgjegjësi që anëtarët tonë e kanë top prioritet konsumatorin”, tha Lulëzim Rafuna nga Oda Ekonomike.
Ndërkohë në Kosovë, u rrit eksporti i produkteve me origjinë bimore.
Megjithatë, gjatë vitit 2024, eksportuesit kosovarë u përballën me vështirësi.
“Kam probleme me fitosanitar. Këtu fito punon vetëm deri të premten, ne kemi çdo ditë eksport”, tha eksportuesi Nehat Thaçi.
Por nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bë e ditur se janë vetëm 14 inspektorë fito-sanitarë që kryejnë punën në gjithë Kosovën.
Ndërkohë, mes të vitit 2024, insektet kishin pushtuar një fshat në qytetin e Klinës.
Në masë të madhe, insektet po qëndronin në hapësirat e jashtme të shtëpive, të mbjellurave e rrugëve të fshatit.
“M’kanë befasu kungujt, kungulleshat pse i hajnë edhe me stap e me krejt, speca e sot ia kanë nis edhe qepët, se deri sot nuk i kanë hangër. Trangujt, e krejt çka ka i kanë hangër. Po k’to i harrum, e tash n’shtëpia. Qysh me i largu prej shtëpive, se s’kemi qare pa lëvizë”, tha Ilaz Mulaj, banor i fshatit Jashanicë të Klinës.
“Në vlerë 70 euro kam blerë pesticide për më i parandalu këto insekte, që dikush iu thotë karkaleca, e dikush kërcej. Mendum se do t’i hjekim vet, me vetëfinancim me disa gjëra, por jo. Jemi në telashe, mos me na ndihmu komuna ne jemi shumë keq”, tregoi banori tjetër i këtij fshati, Avdullah Mulaj.
Edhe nga Komuna e Klinës u kërkua trajtim urgjent për këtë çështje.
“Iu jemi drejtuar AVUK, që ky rast të trajtohet me urgjencë, sepse ishte shqetësues”, tha Furk Smajli, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Klinës.
Por për këtë problem, AUV-i atëkohë kishte theksuar se nuk ka kompetencë intervenimi.
“Është insekt që shkakton dëme ekonomike, por nuk shkakton sëmundje karantinore. Përderisa qëndron në stadin e kësaj, baza ligjore që e përcakton mandatin e AUV, nuk e parasheh që ne të kemi mundësi intervenimi”, tha Lamir Thaçi nga AUV-i.
Nga ky institucion, pas pak ditësh u ndalua importi i 26 tonëve mish të shkrirë me prejardhje nga Brazili.
Ndërkohë, Agjencia e Statistikave të Kosovës konfirmoi rritjen e çmimit të produkteve bazë.
“Shumica e ekonomive familjare janë detyruar që të marrin kredi për me mbulu GEP-in e inflacionit dhe kjo tregon që kemi një qeverisje që merr vendime ad hock”, tha profesori i ekonomisë, Medain Hashani.
Nga ana tjetër, nga Dogana e Kosovës u konfiskuan mbi 3 mijë paketime me produkte të skaduara.
Poashtu, AUV mbylli një operator ilegal që po merrej me trajtimin e nënprodukteve shtazore.
Së fundmi, u alarmua për nivele të larta të pesticideve në mandarina të ardhura nga Shqipëria.
Kështu, Kosova ndaloi ardhjen e tyre.
Megjithatë për gjithë këto ngjarje gjatë vitit 2024, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u përball me shumë sfida.
“Fusha e kontrollit të sigurisë ushqimore ka mbetë pa trupë inspektuese adekuate, ose ekskluzivisht e thirrur për këto inspektime. Jemi duke i mbulu me inspektorë veterinarë dhe fito-sanitarë, ndërsa pjesa tjetër po mbështetemi ende nga sanitarët”, tha Thaçi.
Mungesa e mjeteve logjistike herë pas here ka krijuar vështirësi në daljen në teren të inspektorëve.
Ndërsa përgjatë këtij viti, nga tregu u larguan edhe shumë produkte të tjera.
“Janë afërsisht rreth 1 milionëve, kilogramë, litra, produkte të larguara nga tregu për arsye të ndryshme”, tha Thaçi.
Ndaj të gjithë operatorëve që janë hasur duke kryer veprime anti-ligjore duke vendosur në treg produkte të dyshimta, nga AUV është iniciuar fletë-paraqitje për gjykatë.