Mundësia e dërgimit të një misioni paqeruajtës në Ukrainë është temë e diskutuar ndërmjet udhëheqësve evropiane.
Madje sipas, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen Aleatët evropianë të Kievit po punojnë mbi “plane shumë të sakta” për dislokimin e trupave në Ukrainë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës.
Ajo tha se udhëheqësit evropianë po punojnë për një “vendosje shumëkombëshe të trupave” dhe për “mbështetje nga amerikanët”.
E sipas raportimeve, forcat amerikane do të siguronin komandën dhe kontrollin, inteligjencën dhe pajisjet për mbikëqyrje, por jo trupat tokësore.
Sipas ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, ky mision është i rëndësishëm për të ofruar garanci.
“Misioni do të jetë shumë i rëndësishëm për arsye se kërkohen garanci. Gjithmonë Rusia ka pasur pretendime që Ukraina është pjesë e saj, janë të njetit komb prandaj të gjitha marrëveshjet me Rusinë sigurisht që vijnë në një dyshim. Iniciativa e presidentit Trump e cila kërkon paqe sigurisht që e detyron Rusinë për disa arsyeje që të pranojë një plan të tillë paqeje, jo se është brenda strategjisë së saj por ka nevojë që dal si fuqi e rëndësishme për të rritur dhe negociuar me Evropën zonat e influencës Në këtë kuptim garanicët Evropiane do të jenë sigurisht edhe SHBA që deri tani Sekretari Rubio dhe presidenti Trump kanë thënë se SHBA-të nuk do të jenë direkt të angazhuara por do të mundësojnë me informacionin me lidhjet satelitore me prezencës se tyre përmes teknologjisë të mbështesin Ukrainen”, thotë Nesho.
Madje Nesho ka fajësuar vendet evropiane për avancimin e Rusisë karshi Ukrainës.
“Diçka që dihet deri tani është që nëse Evropa do të ishte e vendosur në ndalimin e agresionit rus ndaj një vendi miqësor, një Republike autonome sovrane siç ishte Ukraina, sigurisht as Rusia nuk do të avanconte kaq shumë. Por ka qenë pikërisht dilema që të mos e hap një konflikt me të gjerë më një fjalë për të ruajtur interesat e saj dhe ka zhvendosur gjithmonë luftën në qoshe”, thotë ai.
Kurse, ligjëruesi i medias dhe konfliktit, Abit Hoxha, ngre pikëpyetje mbi realizueshmërinë e planit nëse nuk ka marrëveshje politike.
“Këto janë vetëm plane që bëhen si paraprije e ngjarjeve politike ushtarake por sigurisht një trup paqeruajtëse që nuk e ka ndikimin politik nuk do të jetë e suksesshme ose do të jetë shumë vështirë e realizueshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë”, thotë Hoxha.
E duke referuar misioneve paqeruajtëse në Kosovë të vendosura pas luftës me Serbinë, Hoxha thotë se ka ndryshime të mëdha krahasur me Ukrainë.
“Është një situatë krejtësisht e ndryshme prej Kosovës, për faktin së Kosova ka 10 mijë metra katror kurse Ukraina ka një shtrirje territoriale shumë enormë më të madhe se Kosova, prandaj edhe misioni do të ketë edhe sfidat e ndryshme”, shprehet ai.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka ftuar udhëheqësit evropianë në Paris për këtë të enjte, për të zhvilluar bisedime të nivelit të lartë