Rusia iu është drejtuar Kombeve të Bashkuara për ta bërë një krahasim midis rastit të Grenlandës dhe Kosovës.
Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha për mediat turke, se interesimi i Moskës në këtë rast është njohja e të drejtave të popujve të Donbasit, Novorusisë dhe Krimesë për vetëvendosje.
“Edhe një herë i jemi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe ekipit të tij me pyetjen: nëse është thënë publikisht se ai dhe drejtuesit kolektivë të OKB-së e njohin të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje dhe se wshtw pikërisht populli i Grenlandës vendos për fatin e vet, e jo dikush nga jashtë – a do ta njohë OKB-ja të njëjtën të drejtë edhe për popullsinë e Donbasit, Novorusisë dhe, natyrisht, të Krimesë?”, deklaroi Lavrov.
Ai rikujtoi se Perëndimi e ka shpallur të drejtën e vetëvendosjes si kriterin e vetëm dhe kryesor për pavarësinë e Kosovës.
“Udhëheqja e OKB-së e pranoi këtë pa kundërshtim. Në Kosovë nuk pati referendum – thjesht u tha se Kosova tani është e pavarur, duke fyer kështu popullin serb dhe historinë e tij. Ndërsa kur në Krime u mbajt një referendum, në përputhje me të gjitha rregullat, Perëndimi deklaroi se në atë rast e drejta e vetëvendosjes nuk mund të zbatohej, sepse gjoja zbatohej parimi i integritetit territorial”, theksoi Lavrov.
Siç tha ai, shqiptarëve të Kosovës askush nuk ua ka mohuar të drejtat – ata flisnin gjuhën e tyre dhe kishin shkolla në gjuhën shqipe – ndërsa, nga ana tjetër, në Krime, Donbas dhe Novorusi, autoritetet ukrainase kanë ndaluar pothuajse gjithçka me ligj./KP







