Rusia do të mbyllë qendrat kulturore gjermane në të gjithë vendin, tha të enjten Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov.
Ky veprim vjen pasi Berlini fajësoi Moskën për një tentativë sulmi në aeroportin Leipzig/Halle dhe njoftoi mbylljen e Konsullatës Ruse në Bon dhe qendrës kulturore “Shtëpia Ruse” në kryeqytetin gjerman.
Moska është akuzuar gjerësisht nga zyrtarët perëndimorë për drejtimin e një fushate sabotimi dhe përçarjeje me qëllim minimin e mbështetjes për Ukrainën dhe destabilizimin e kombeve evropiane, diçka që zyrtarët rusë e mohojnë.
Lavrov tha se qendrat kulturore që i përkasin Institutit Goethe të Gjermanisë do të mbyllen në Moskë, Shën Petersburg dhe Jekaterinburg, duke shtuar se çdo përgjigje tjetër do të tregonte mungesë “vetërespekti” nga ana e Rusisë, shkruan AP.
Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, Lavrov tha se Gjermania “nuk mund të mos e kishte kuptuar” se mbyllja e Shtëpisë Ruse do të “shënonte fundin e pranisë së tyre kulturore në Rusi”.
Një dron i ngarkuar me eksploziv u gjet pranë një aeroplani ukrainas në aeroportin Leipzig/Halle më 4 gusht dhe u çaktivizua më vonë. Aeroporti është një qendër e madhe ndërkombëtare mallrash që përdoret për të ofruar mbështetje për Ukrainën .
Putini i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Berlini dëshiron të shpërqendrojë vëmendjen nga dështimet e veta dhe pakënaqësia midis votuesve. Çdo provë që ofrohet “është e sajuar”, tha Putin.









