Sindikalistët e sektorit privat në Kosovë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka njoftuar se në një takim me kryetarët e shoqatave të punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë është vendosur që protesta të mbahet për të kërkuar përmirësimin e kushteve dhe të drejtave të punëtorëve.
Sipas njoftimit të sindikatës, protestuesit do të paraqesin tri kërkesa kryesore: Paga minimale të jetë 600 euro, duke filluar nga 1 janari 2027. Pagesa e pagës së 13-të edhe për punëtorët e sektorit privat, njësoj si për ata të sektorit publik. Pagesa e stazhit të punës për punëtorët e sektorit privat. Azemi ka bërë të ditur se këto kërkesa i janë dorëzuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga prilli i vitit 2026, por sindikata po kërkon që ato të marrin përgjigje konkrete”, shkruhet në njoftim.
Tutje, në njoftim theksohet se punëtorët e sektorit privat meritojnë trajtim të barabartë, dinjitet dhe respekt për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.







