Pjesëmarrja e grave në ekonominë e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, duke treguar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të tyre në tregun e punës.
Sipas të dhënave të Administrata Tatimore e Kosovës për muajin tetor 2025, në total 162,062 gra janë të punësuara, që përbëjnë 39.5% të fuqisë punëtore aktive në vend. Prania e tyre është më e theksuar në fusha si arsimi, shëndetësia dhe sektori i shërbimeve.
Ndërkohë, 19,331 biznese individuale drejtohen nga gra, çka reflekton rritjen e angazhimit të tyre në sipërmarrje. Gjatë së njëjtës periudhë, gratë kanë realizuar 289,885 shërbime tatimore në mënyrë digjitale, duke dëshmuar për përdorimin në rritje të teknologjisë dhe përfshirjen në ekonominë formale.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave dhe në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.







