Importi i veturave elektrike në Kosovë po shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa qytetarët po kërkojnë heqjen e taksave doganore dhe subvencionim nga shteti për blerjen e këtyre automjeteve ekologjike. Kjo temë është trajtuar në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, ku janë prezantuar të dhëna zyrtare dhe opinione nga qytetarët, importues për trendin në rritje të automjeteve elektrike dhe ndikimin e tyre në mjedis dhe ekonomi.
Nga qeveria e Kosovës është kërkuar që të dimë pse vendi ynë është ende me doganë për veturat elektrike, porse të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2024 vlera e përgjithshme e importit të veturave elektrike dhe atyre hibride ka kapur shifrën mbi 114 milionë euro, ndërsa në periudhën janar–maj 2025, janë importuar 1 mijë e 539 vetura me një vlerë prej 56 milionë euro.
Shefi i analizës së riskut në Doganën e Kosovës, Visar Zakuti deklaron se të gjitha veturat, përfshirë ato elektrike dhe hibride, i nënshtrohen taksave doganore. Sidoqoftë, për veturat hibride taksat janë më të ulëta.
“Gjatë viteve të fundit kemi një tendencë të rritjes së importit të veturave elektrike. Gjatë vitit 2024 vlera e përgjithshme e importit tek veturat elektrike përfshirë edhe veturat hibridë që janë edhe elektrike edhe në djegie të derivateve, vlera mbi 114 milionë euro, ndërsa në vitin 2025, në periudhën për janar-maj i kemi 56 milionë euro import, dikur rreth 1 mijë e 539 vetura…Sa i përket taksave, sikurse veturat elektrike dhe ato hibridë përmbajnë gjitha, nevojitet të paguhen të gjitha taksat doganore, si, taksa e doganës, taksa e akcizës dhe taksa e TVSH-së. Megjithatë, tek veturat hibrid e kemi normën e detyrimit taksës është më e ulët sesa tek pjesa tjetër e veturave, edhe veturave elektrike, por edhe veturave tjera me djegie. Norma e detyrimit të taksës së akcizës, tek veturat hibride është 10 euro për njësinë copë, përderisa tek veturat elektrike është varësisht është taksa e akcizës e përshkallëzume varësisht prej vitit të prodhimit, si dhe faktorëve tjerë që ndikojnë në përcaktimin e vlerës së taksës, siç janë, vëllimi dhe specifikat tjera të automjetit”, thotë Zuka.
Derisa, pronari i AutoNet, platforma online për blerje të veturave nga Evropa, Nexhdet Abazi thekson se pavarësisht interesimit të madh të qytetarëve për veturat elektrike, pjesëmarrja e tyre në import është ende minimale.
“Pavarësisht interesit të madh të qytetareve për importin e veturave elektrike, numri i tyre është shumë i vogël, diku sillet rreth 2 për qind e gjitha importeve që realizojmë gjatë vitit… Nëse krahasojmë me vitin e kaluar rritja është shumë e vogël…kjo për shkak të politikave qeveritare rreth importit të veturave…Ky numër i vogël lidhet ngushtë me procesin e doganimit të veturave në Kosovë. Veturat elektrike trajtohen njëjtë si të gjitha veturat tjera, pavarësisht se veturat hibride lirohen nga akciza…Aplikohen 10 për qind taksë doganore, 400 euro akcizë, plus TVSH, 18 për qind…Qeveria Kosovës duhet urgjentisht të ndërhyjë në politika në mënyrë që këto vetura të lirohen nga taksa doganore, përkundrazi Dogana e Kosovës është duke aplikuar metoda të rivlerësimit, me çka klientët tonë po i kushton kosto shtesë gjatë importit…Kjo kosto vajon prej 200 deri 1 mijë euro varësisht prej vlerës se veturës”, thekson Abazi.
Abazi shton se mungesa e investimeve publike në infrastrukturën për vetura elektrike është gjithashtu një pengesë serioze për zhvillimin e tregut.
“Shumica e stacioneve për mbushje të veturave elektrike janë stacione që kompanitë e ndryshime kanë ndërtuar privatisht, ndërsa mungon infrastruktura ku shteti investon dhe ndërtuar stacione për mbushje të veturave elektrike. Në këtë kontekst qeveria dhe komuna duhet urgjentisht të krijojnë sa më shumë stacione, në mënyrë që qytetarët të stimulohen që të importojnë vetura elektrike…14:09 Ne si AutoNet publikojmë rreth 2 mijë vetura në shitje çdo ditë nga BE dhe po vërejmë se trendi i veturave elektrike është në rritje çdo ditë të cilat publikohen për shitje. Rreth 20 deri 25 për qind të tyre janë vetura elektrike, ky trend është duke u rritur…16:11 Nëse krahasojmë me vendet e rajonit, Kosova ka potencial për importin e veturave elektrike, mirëpo problemet kryesore lidhen me politikat fiskale nga shteti…Qeveria duhet të bëjë ndryshimet ligjore sa më shpejtë në mënyrë që numrin e veturave elektrike të rritim sepse ka ndikim në ambient, kosto të lirë për qytetarët”, thotë Abazi.
Derisa, qytetarët shprehen të bindur se përdorimi i veturave elektrike është një zgjidhje shumë më ekonomike dhe ekologjike. Ata kërkojnë që qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur blerjen e këtyre veturave.
Ngasësi i veturave elektrike, Zeqir Beka thekson përfitimet nga këto vetura.
“Veturat elektrike janë shumë të dobishme, për arsyeje se kanë harxhimet më të vogla. Na ndihmon shumë në komunikacion, nuk ndot ambientin. I bëj edhe thirrje qeverisë të ndihmojë në subvenciononim e veturave elektrike për shkak të ambientit… Ruajnë ambientin shumë, sepse nuk kanë lëndë djegëse, dhe janë shumë të dobishme”, thotë Beka.
Edhe qytetari Xhafer Gashi ndan të njëjtin mendim.
“Shumë mirë është, më ekonomike, më lirë me vozit, por është edhe një plus i madh për popullsinë, për ekologjinë, ajrin e pastër, jo ndotjen e ajrit, sepse veturat me naftë, me benzinë e ndotin ajrin. Kështu (veturat elektrike) në çdo aspekt janë shumë më mirë”, thotë Gashi.
Ndërsa qytetari, Rrahman Ramadani thotë se dogana është shumë e shtrenjtë dhe duhet të hiqet.
“Veturat elektrike janë më të dobishme, dogana ish dashtë të hiqet dhe të përmirësohet ambienti…Dogana është e shtrenjtë…Veturat elektrike janë më të mira për ambientin dhe shëndetin…Shteti ish dashtë të subvencionojë ata persona që blejnë këto vetura”, thotë Ramadani.
Po ashtu, qytetari Selahedin Haziri thotë se heqja e doganës për veturat elektrike do të kishte ndikim pozitiv për vendin.
“Është dashtë (Kosova të heq doganën për veturat elektrike) në aspektin ekologjik reflekton, si për vet konsumatorët, për shëndet…Doganën me ja heq pasi është në dobi të Kosovës dhe qytetarëve…Çdo shtet po shkon tash nga veturat elektrike, globalisht…Ne nuk duhet të mbesim mbrapa krahasim me shtetet tjera”, thotë Haziri.
Në Maqedoninë e Veriut, po ashtu ka filluar të zhvillohet infrastruktura për veturat elektrike, megjithëse numri i tyre është ende relativisht i vogël. Edhe këtu, mbështetja qeveritare është në faza fillestare, por interesi është në rritje.
Në Shqipëri, po rritet ndërgjegjësimi për veturat elektrike, dhe po krijohen pika të reja karikimi, sidomos në qytetet kryesore. Sidoqoftë, edhe atje sfidat e çmimeve dhe infrastrukturës mbeten të ngjashme me Kosovën.
Ndërsa kur jemi tek shifrat në botë, shitjet globale të automjeteve elektrike (EV) pritet të kalojnë njëzet milionë këtë vit, duke përbërë më shumë se njëzet e pesë për qind të të gjitha automjeteve të shitura, sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA). Shitjet globale të automjeteve elektrike vazhdojnë të rriten pavarësisht pasigurive në ekonominë globale dhe presioneve mbi sektorin e automobilave. Ndërsa shitjet globale tejkaluan shtatëmbëdhjetë milionë në vitin dymijë e njëzet e katër, pjesa e tregut e këtyre automjeteve tejkaloi njëzet për qind për herë të parë.
Kina ruajti udhëheqjen e saj në treg, duke përbërë më shumë se gjysmën e shitjeve të vitit të kaluar. Njëmbëdhjetë milionë automjete elektrike të shitura në Kinë vitin e kaluar ishin të barabarta me numrin total të automjeteve elektrike të shitura në të gjithë botën në vitin dymijë e njëzet e dy. Shitjet e automjeteve elektrike në tregjet në zhvillim në Azi dhe Amerikën Latine gjithashtu u rritën me gjashtëdhjetë për qind vitin e kaluar.
Në SHBA, shitjet u rritën me 10% nga viti në vit, ndërsa ato mbetën të pandryshuara në Evropë ndërsa stimujt dhe politikat mbështetëse u dobësuan.
Kosova, në krahasim me këto vende, është ende në një fazë më të hershme të zhvillimit të tregut të veturave elektrike. Numri i veturave elektrike është më i vogël, dhe infrastruktura për karikim është e kufizuar. Megjithatë, Kosova ka potencial të madh për rritje, sidomos me përqendrimin në energji të rinovueshme që mund të furnizojë këto vetura me energji të pastër.