Misioni i UNDP-së në Kosovë ka vlerësuar se perceptimi për prezencën e korrupsionit në Administratën Tatimore të Kosovës është ulur në 21.20 për qind nga 35.30 për qind sa ka qenë në maj të vitit 2019, raporton teve1.info
Sipas një komunikate për medie të ATK-së, ky institucion ka bërë progres të vazhdueshëm në ruajtjen dhe rritjen e besimit të publikut.
“Kjo ka ndodhur duke forcuar mekanizmat dhe reformat në proceset kyçe të ATK-së, siç janë llogaridhënia, automatizimi i proceseve të punës, si dhe implemtimin e mbi 40 aktiviteteve të planifikuara me Planin Për Përmirësim të Integritet për vitin 2021-2023.
Vlerësimi për këtë çështje është pasqyruar me publikimin e raportit nga UNDP “Përmbledhja e Pulsit Publik XXIV”, në të cilin theksohet se perceptimi i qytetarëve për korrupsion në Administratën Tatimore të Kosovës është zvogëluar nga 35.30% (sa ka qenë në maj të vitit 2019) në 21.20%. Reflektim i këtyre rezultateve janë përmirësimi i transparencës dhe proceseve të vendimmarrjes, zvogëlimi i ndikimit të faktorit njeri, masat për parandalimin e konfliktit të interesit, edukimi dhe sanksionimi i stafit, etj.”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të ATK-së, përfshirja e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë ka ndihmuar në forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe në luftën kundër korrupsionit.
Ky raport ofron gjetjet për treguesit kyç në lidhje me perceptimin e qytetarëve për çështjet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin dhe çështjet politike. Anketat e opinionit realizohen dy herë në vit dhe e pasqyrojnë opinionin e mbi 1,300 të anketuarve mbi 18 vjeç në Kosovë, thuhet tutje në komunikatën e ATK-së.








