Më shumë se dy dekada e gjysmë pas luftës, rrëfimet e të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të masakrës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut vazhdojnë të dëshmojnë për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë.
Përmes kujtimeve të dhimbshme, Bujar Sahiti përshkruan çastin kur u nxorën me forcë nga shtëpitë, u ndanë burrat nga familjet dhe shumë prej tyre u vranë apo u zhdukën, ndërsa kërkesat për drejtësi dhe trajtim institucional të këtyre krimeve mbeten ende të hapura.
“Na kanë tubuar në shtëpinë e mixhës, na kanë maltretuar, gjithçka na kanë bërë. Na i kanë ndalur prindërit këtu. Babën, djalin e mixhës, mixhën e kanë ndalur, por mixhën pastaj e kanë liruar. Edhe neve na kanë qitur prej shtëpie, na kanë rrahur, na kanë marrë gjithçka që kemi pasur. S’mundem me fol. Babën e kemi gjetur në vitin 2013, e kam gjetur në varrezat lart. Djalin e mixhës në oborr të Bajram Rexhepit, ndërsa një tezak të babës ende nuk e dimë. Ne kemi dhimbje shumë, 27 vjet janë të mëdha për ne, prindër…”, tha Sahiti.
Ai tregoi se familja kishte planifikuar të largohej për në Shqipëri, por u ndaluan nga persona të armatosur me maska.
“Ne kemi pasur me ec për në Shqipëri. Në ora 09:30 kemi pas me dalë me autobus, por na kanë hyrë serbët me maska, nuk i kemi njohur kush kanë qenë. Na kanë hyrë në oborr, na kanë marrë dukat e para. Veç i kanë ndarë burrat: ‘ti, ti, hajdeni këtu’. Neve na kanë qit, e sapo kemi dalë më nalt kanë gjuajtur me automatikë. Kemi menduar që na mbytën menjëherë, por nuk na kanë lënë me u kthy. Më pas, rrugës, ka pasur polici serbe që na thoshin: ‘hajt, hajt, shkoni për Shqipëri se ju kemi ndalë boll’, duke bërë hajgare”, rrëfën Sahiti.
Sahiti kujton edhe ndarjen e fundit me të atin.
“Jena kanë tu e shty një ‘Golf’, këtu e kemi pasur një kerr të djalit të mixhës. Gjithmonë u ndezke, por atë moment nuk u ndez. Unë kam qenë më i ri dhe e shtysha se baba ka qenë pak më lart. Kur më ka parë mua, u kthye e u fut këtu, e i kam thënë ‘ik ti, mos hajde’, ndërsa ai tha: ‘jo, masi të ndalin ty, pse mos me ardh edhe unë’. U kthye dhe u fut, dhe baba e pati atë fat që e ndalën”, tregoi ai.
Fevzi Beqiri kujtoi një tubim, ku në cilësinë e përfaqësuesit të lagjes Lumbardh dhe Lagjes së Boshnjakëve, i ishte drejtuar ish-kryetarit të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, lidhur me shitjen e shtëpisë së Mustafë Sahitit.
“Kur është mbajtur ai tubim, kanë folur të gjithë para meje. Unë kam qenë përfaqësues i lagjes Lumbardh dhe Lagjes së Boshnjakëve. E kam marrë fjalën dhe iu kam drejtuar Bajram Rexhepit si kryetar: ‘Kryetar, shtëpia e Mustafë Sahitit është qitur në shitje. Nuk kam folur me pronarin, por e gjithë lagjja po flet që është në shitje. Kam një kërkesë: kjo shtëpi nuk guxon për asnjë çmim me u shit. Në këtë shtëpi janë vrarë, janë masakruar, janë plaçkitur dhe janë dëbuar nga bandat çetnike serbe. Kjo shtëpi duhet të shpallet shtëpi e gjenocidit serb’. Përgjigjja e tij nuk ka qenë shumë e avancuar për mua dhe për lagjen. Tha: ‘prona është e shenjtë, kush do e shet, kush do nuk e shet’”, tha ai.
Beqiri: Kanë gjetur gëzhoja të kallashit, 7–8 kilogramë, ka pasur edhe gjurmë që dëshmojnë pushkatimin
“Sipas dëshmitarëve, edhe ky Bujari që foli, i ka familjarët këtu: babën, djalin e axhës. Kur ka hyrë KFOR-i francez këtu, nuk i kanë gjetur trupat, por është e vërtetë që kanë gjetur gëzhoja të kallashit, diku 7–8 kilogramë. Ka pasur edhe gjurmë që dëshmojnë pushkatimin. Tani i mbetet hetuesisë, AKI-së, gjyqësisë dhe prokurorisë të merren me këtë rast dhe të sqarojnë si ka ardhur deri te vrasja. Këtu janë vrarë njerëz të moshave të ndryshme. Gjenocidi i Serbisë fashiste nuk ka shikuar nëse ishte i armatosur, UÇK, civil apo person me aftësi të kufizuara. E kemi një nënë shqiptare që ka qenë në karrocë dhe asaj ia kanë vrarë syrin vetëm pse ishte shqiptare. Qëllimi i Serbisë fashiste ka qenë që çdo gjë shqiptare të fshihet nga faqja e dheut, që shqiptarët të mos kthehen më këtu, por kjo pjesë dardane të mbetet serbe. Por falë Zotit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktivistëve dhe veprimtarëve brenda dhe jashtë atdheut, sot ne mbijetojmë”, përfundoi Beqiri.
Familjarët e viktimave të masakrës në Lagjen e Boshnjakëve thonë se ende presin drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke kërkuar që institucionet të merren seriozisht me këtë rast të pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash e gjysmë./KP







