Trupi i tij tash e tutje do të pushojë afër varrezave të ish-bashkëluftëtarëve.
Dëshmori i kombit, Enver Pacolli të shtunën u rivarros nga varrezat civile në Hajvali të Prishtinës, tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan. Në këtë qytet ai luftoi dhe ra heroikisht 23 vjet më parë.
Ceremonia u përcoll me nderimet më të larta ushtarake teksa prezent ishin politikanë, ish-bashkëluftëtarë e përfaqësues nga BIK-u.
Kreu i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se rivarrimin e dëshmorit e bën edhe më të veçantë fakti se u bë në ditëlindjen e tij.
“Është nder dhe privilegj, është krenari po ashtu që në një ceremoni modeste, në një ditë të veçantë e të shënuar për familjen Pacolli, në veçanti edhe për dëshmorin e kombit Enver Pacolli në datën e lindjes së tij të zhvillojmë e të përfundojmë procesin e rivarrimit të tij”, tha Hyseni.
Enver Pacollin e të gjithë dëshmorët e kombit, ish-zv/komandanti i Zonës së Karadakut, Shemsi Syla, i quajti shtyllë kurrizore të kombit.
“Shumëkush do ta kishte lakmi ta kishte përjetësinë. Atë nuk e ka gjithkush, fakt. E kanë vetëm ata të cilat sot janë yje të lirisë dhe emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë”, është shprehur ai.
Por si e njohën Enver Pacollin të afërmit.
“Ka punu natë e ditë me kerr, ku ka pas nevojë ka ec. Edhe u kon i flaktë, plus u kon i pregaditë, e ka pas ushtrinë e kryme. U kon minahedhës dhe e ka dit në front ku po shkon, u kon i vetëdijshëm”, ka thënë daja i dëshmorit Enver Pacolli, Hebib Aliu.
Ditën kur Pacolli ra heroikisht e përshkruan ish-bashkëluftëtari, Rexhep Sejdiu.
“Ata ushtarë që kemi qenë i kemi da me grupe se Malësia shumë e gjerë dhe në atë pjesën ku ka qenë Enveri me dy-tre tjerë kanë sulmu forcat serbe edhe fatkeqësisht Enveri është qëllu prej një snajperisti sa e dimë na. Por fatbardhësisht muj me thanë mos të ishte Enveri mujke me u zanë pjesa e civilëve se në atë përleshje ku e ka ba Enveri me shokë ndaj paramilitarëve, kanë dëgju ata civilë dhe janë tërhjek”, ka thënë Sejdiu.
Dëshmori Enver Pacolli nga Mareci i Prishtinës u vra më 21 prill 1999 në Gjilan.
Kronika e realizuar nga gazetari Gojart Jashari.