Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë nisur një kapitull të ri në zhvillimin dhe integrimin e rezervës, me rikthimin pas më shumë se tri dekadash të rezervistëve në stërvitje të rregullt ushtarake.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm gjenerallejtënant Arben Kingji, zëvendësministrat e mbrojtjes, Pranvera Skana dhe Enkelejd Joti, gjeneralbrigade Razie Mehmeti, gjeneralë dhe komandantë forcash dhe njësisë në FA, drejtorë drejtorish në SHP, rezervistë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjenerallejtënant Arben Kingji, vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një rezerve moderne, të integruar dhe të aftë për të përforcuar kapacitetet e forcës aktive në funksion të mbrojtjes kombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve në Aleancë.
Gjenerallejtënant Kingji nënvizoi se ky proces merr një rëndësi të veçantë në kushtet e mjedisit të sotëm të sigurisë, të karakterizuar nga zhvillime dinamike, kërcënime hibride dhe kibernetike, si dhe nga nevoja për kapacitete të shtuara për përballimin e emergjencave civile.
“Rezerva nuk ndërtohet kur fillon kriza. Ajo përgatitet në kohë paqeje, që të jetë gati kur vendi e kërkon”, u shpreh Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke theksuar se rezerva duhet të stërvitet dhe integrohet në mënyrë të vazhdueshme me forcën aktive, raporton ATSH.
Në këtë proces, vijoi Kingji, komandantët, instruktorët dhe strukturat mbështetëse kanë një rol të rëndësishëm në krijimin e një sistemi të matshëm të integrimit dhe gatishmërisë. Rezervistët do të ndjekin një cikël progresiv trajnimi, nga stërvitja individuale dhe e avancuar, te stërvitja kolektive dhe integrimi me njësinë ku janë caktuar.
“Vizioni im është i qartë! Forca aktive dhe rezerva të funksionojnë si një forcë e vetme, e stërvitur, e integruar dhe e gatshme për mbrojtjen kombëtare dhe detyrimet tona në Aleancë”, përfundoi Kingji.




