Autori: Arlind Beqiraj
Testit iu nënshtruan dy javë më parë.
E tek këtë të hënë, rezultatet iu dolën.
Arritshmëria mesatare për nxënësit e klasave të nënta këtë vit është 48.35%.
Nga analiza sipas lëndëve, rezultatet më të larta janë shënuar në gjuhën angleze me 65.97%, histori me 62.23%, duke e lënë gjuhën shqipe të tretën në renditje me 54.63%.
Arrtishmëri më e ulët u shënua në lëndët Kimi, Matematikë, pasuar nga Biologjia, Fizika, Informatika e Gjeografia.
Ky bilanc, sipas Ministrisë së Arsimit do shërbëjë si bazë në përmirësim të cilësisë.
“Rezultatet e Testit të Arritshmërisë ofrojnë një pasqyrë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në përmirësimin e cilësisë në arsim”, thuhet në njoftimin e MInistrisë së Arsimit.
Se nxënësit dolën më mirë në gjuhën angleze se në atë amtare, e thonë edhe në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë.
Por kjo sipas tyre ka një arsye.
“Gjuha angleze i ka pasur vetëm 5 pyetje, ku mundësia ka qenë shumë më e mirë për të dalë me rezultate të mira, ndërkohë pyetjet kanë qenë shumë bazike, ndërkohë në gjuhën shqipe kanë qenë më të ngarkuara”, u shpreh Ahmeti.
Rezultatet më të ulëta në këtë shkollë u pasqyruan edhe në lëndët shkencore.
“Po kemi vërejtur që ka shumë pak numër të pikëve, sidomos te ata nxënës që kanë sukses shumë të mire, janë ndëshkuar te shkencat”, u shpreh tutje Ahmeti.
Dalja e gjuhës angleze si lëndë e parë, sipas njohësve të arsimit nuk është e rastësishme.
“Nuk besoj që ka ndonjë cilësi më të rritur të mësimdhënies të gjuhës angleze sesa e gjuhës shqipe për të sjellë këtë diferencë në Testin e Arritshmërisë, por ajo që është shumë e lidhur është një ekspozim i nxënësve ndaj gjuhës angleze”, ka thënë Qehaja.
Në Testin e Arritshmerisë të mbajtur më 26 qershor, morën pjesë 21 mijë e 982 nxënës.
Edhe këtë herë, ashtu sikur viteve të kaluara, testi arriti përsëri të shpërndahet në rrjete sociale, brenda dy minutash.






