Historia e sipërmarrësit shqiptar Burim Hazrolli ka marrë vëmendjen e revistës gjermane “Diplomatisches Magazin”, e cila në edicionin shtator–tetor 2026 i ka kushtuar një portret të gjerë rrugëtimit të tij profesional dhe zhvillimit të biznesit në Gjermani, Kosovë dhe më gjerë.
Në edicionin e saj shtator–tetor 2026, revista që botohet në Berlin dhe prej dekadash i drejtohet komunitetit diplomatik, politik, institucional dhe ekonomik në Gjermani, i kushton dy faqe historisë së Hazrollit, duke vënë në pah rrugëtimin e tij sipërmarrës, filozofinë e punës dhe zgjerimin e aktiviteteve të tij në Gjermani, Kosovë dhe jashtë tyre.
Hazrolli mbërriti në Gjermani në vitin 1998. Vetëm një ditë më vonë nisi të punonte në sektorin e ndërtimit në Bavari. Pa një rrjet familjar dhe pa njohuri të gjuhës gjermane, ai e ndërtoi hap pas hapi rrugën e tij profesionale. Në moshën vetëm 22-vjeçare themeloi kompaninë e parë.
Ajo që filloi si një biznes në renovim, sanim dhe punime të brendshme, me kalimin e viteve u shndërrua në Hazrolli Unternehmensgruppe, një grup që sot përfshin disa fusha të ndërtimit, prodhimit dhe pasurive të paluajtshme.
Por ajo që bie më shumë në sy në portretin e “Diplomatisches Magazin”nuk janë vetëm shifrat e rritjes së biznesit. Revista e përshkruan Hazrollin si një sipërmarrës që ka ndërtuar filozofinë e tij mbi punën, disiplinën, cilësinë, përgjegjësinë dhe aftësinë për të gjetur zgjidhje aty ku të tjerët shohin probleme.
“I dua gjërat e komplikuara, pretendimi im është zgjidhja”, thotë Hazrolli në intervistë – një fjali që përshkon të gjithë historinë e tij sipërmarrëse.
Kur furnizimet apo proceset e jashtme e pengonin zhvillimin e kompanisë, Hazrolli krijonte kapacitete të veta. Kështu, ndër të tjera, në vitin 2019 ngriti në Kosovë prodhimin e dritareve dhe dyerve, duke forcuar lidhjen ekonomike dhe prodhuese mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Sot Hazrolli Unternehmensgruppe punon me klientë privatë, komuna dhe institucione publike, ndërsa vazhdon të zgjerojë aktivitetin dhe kapacitetet e veta prodhuese. Vetë Hazrolli, megjithë rritjen e kompanive, vazhdon ta shohë veten si një sipërmarrës të lidhur drejtpërdrejt me projektet, punonjësit dhe realitetin e përditshëm të biznesit.
Një pjesë e veçantë e portretit i kushtohet edhe mënyrës së tij të udhëheqjes. Për Hazrollin, karakteri, përgjegjësia dhe gatishmëria për të punuar kanë po aq rëndësi sa kualifikimet formale. Këtë filozofi ai e ka kthyer edhe në kulturë të kompanisë.
Revista e Berlinit e vendos historinë e tij në traditën e asaj që në Gjermani njihet si “ehrbarer Kaufmann” – sipërmarrësi që ndërthur suksesin ekonomik me integritetin, përgjegjësinë dhe besueshmërinë.
Për Burim Hazrollin, megjithatë, portreti nuk është një pikë përfundimtare.
Pas më shumë se dy dekadash në biznes, fokusi i tij mbetet te investimet e reja, zgjerimi i prodhimit, tregjet e reja dhe partneritetet ndërkombëtare.
Nga një 16-vjeçar që nisi jetën profesionale në Gjermani nga zero, te drejtuesi i një grupi me mbi qindra punonjës: historia e Burim Hazrollit është një prej atyre historive shqiptare të suksesit që tashmë po merr vëmendje edhe në qarqet politike, ekonomike dhe diplomatike të Berlinit.




