Gjatë orëve të mbrëmjes së sotme pritet të ketë reshje lokale shiu si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon.
Instituti Hidrometologjik ka njoftuar se këto kushte atmosferike do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte, duke sjellë mot të paqëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit.
“Fundjava parashihet të karakterizohet me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha mbidetare priten edhe reshje bore për shkak të rënies së temperaturave.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1°C dhe 4°C, ndërsa maksimalet nga 6°C deri në 12°C”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sipas IHMK-së, nga dita e hënë pritet një stabilizim relativ i motit, me kushte mesatarisht të vranëta dhe intervale me diell.
Megjithatë, në disa zona do të ketë zhvillime të vranësirave që mund të sjellin riga të dobëta shiu.
Sipas parashikimeve, në gjysmën e dytë të javës së ardhshme në viset malore priten sërish reshje bore, si rezultat i depërtimit të masave më të ftohta ajrore nga veriu dhe verilindja.
Ndërkohë, nga data 31 mars deri më 4-5 prill pritet rënie e temperaturave minimale në vlera negative gjatë orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica pranverore që mund të dëmtojnë rëndë kulturat bujqësore, sidomos pemët në fazën e lulëzimit./teve1.info/









