Regjistrimi i bizneseve në Kosovë ka shënuar rënie gjatë muajit gusht.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gusht janë regjistruar 36,2 për qind më pak ndërmarrje sesa në muajin paraprak.
Rënie është shënuar edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i bizneseve të regjistruara ishte 5,4 për qind më i lartë.
Në Gusht 2026 krahasuar me muajin paraprak, kemi rënie për 36,2 % të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rënie për 5,4 % të ndërmarrjeve të regjistruara.
Sipas ASK-së, aktiviteti më i preferuar ekonomik ishte tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me 207 ndërmarrje të regjistruara.
Pas këtij sektori, renditet informacioni dhe komunikimi me 113 ndërmarrje, ndërsa aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 109.
Ekonomisti Lulzim Beqiri tregon arsyet e rënies së regjistrimit të bizneseve
“Muajt e fundit ka një stagnim të regjistrimit të numrit të bizneseve, për faktin se ka një lloj krize në Kosovë. Kjo është shqetësuese, për faktin se ka regjistrim të vogël të bizneseve, kompanive apo ndërmarrjeve prodhuese. Edhe kjo e ka bërë më të vështirë situatën, pasi ka import të madh në Republikën e Kosovës”, deklaroi Lulzim Beqiri.
Të dhënat tregojnë se pjesën dërrmuese të bizneseve të reja e përbëjnë mikro-ndërmarrjet, me deri në nëntë të punësuar.
Në këtë kategori janë regjistruar 1 mijë e 3 ndërmarrje, ndërsa shtatë të tjera i përkasin kategorisë së ndërmarrjeve të vogla, me 10 deri në 49 të punësuar.
Gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej t’i orientojnë qytetarët, përmes programeve të ndryshme, që të investojnë aty ku ka treg stabil dhe prodhim. Po ashtu, duhet t’i mbështesin këto biznese, duke filluar nga aspekti legjislativ, për t’i liruar nga tatimet, e pastaj edhe përmes mbështetjes për pajisje dhe staf”, shtoi Beqiri.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, prin Rajoni i Prishtinës me 463 ndërmarrje të regjistruara, apo 45,8 për qind të totalit.
Pas tij renditet Rajoni i Prizrenit me 124 ndërmarrje, i ndjekur nga Mitrovica me 93 dhe Ferizaj me 90.
Ndërsa numri më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara është shënuar në Rajonin e Gjilanit, me gjithsej 70.






